
Nga seanca e sotme parlamentare, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi mazhorancën se nuk po i jep kohën e duhur për diskutim opozitës. Ai shigjetoi nënkryetaren e Parlamentit, Ermonela Felaj, e cila drejtonte seancën duke thënë se ka kriminalizuar Prokurorinë e Tiranës dhe se nuk i takon që të flasë. Berisha tha se fakti që është kufizuar në mënyrë ekstreme debati ditën e sotme kur në përputhje me Kushtetutën drejtësia raporton para parlamentit, dëshmon shkallën e tmerrshme të inkriminimit të mazhorancës. “Dëshmon se po silleni sikur të ishit banorë të “313-ës” apo të burgut të Peqinit dhe jo parlamentarë. Dëshmon se keni frikë dhe tmerr nga krimet tuaja elektorale, jo elektorale, ordinere, aferat korruptive. Dëshmon se jeni skllevër të veprave tuaja kriminale dhe s’keni as dinjitetin, as minimumin e guximit. Vetëm ti nuk duhet të flasësh, nuk duhet të kryesosh, se e shndërrove Prokurorinë e Tiranës në strofull familjare. Turp, turp!”



