Kryeministri Edi Rama ka zbuluar në konferencën e ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” se Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i Samitit të NATO-S në vitin 2027.
Ai theksoi se dikur askush nuk e besonte që vendi jonë do të bënte një përparim kaq të madh, por raporti jonë me botën ka ndryshuar. Rama ka shtuar se do të vazhdojmë të forcojmë besimin e partnerëve tanë strategjikë.
Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mikpresë liderët e 44 shteteve europiane nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi, vitin e ardhshëm në samitin e Komunitetit Politik Europian.
Po ashtu ky respekt, besim e prestigj dhe roli i një tjetër ambasadori që e sjell këtu si një shembull jo për ta veçuar nga të tjerët por të rinënvizuar sa e rëndësishme për ne është që të përfaqësohemi me volumin maksimal të ambicies e aftësisë për të qenë të respektueshëm, gjë që na jep mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s në 2027.
Gjëra që ju i dini më mirë se unë që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë. Që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e ti besoheshin të tilla role. Ndërkohë kemi pasur dhe kryesimin e OSBE-së.
Më tej Rama bëri publik dhe objektivin që Shqipëria duhet të jetë gati për tu ulur në tryezën e BE-së në 2030 dhe për këtë roli i ambasadorëve është tepër i rëndësishëm dhe duhet të ngjiten në një nivel të ri.
E dimë shumë mirë që 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për tu ulur në tryezën e BE-së si anëtarë të barabartë të familjes europiane. Ne duhet të jemi gati.
Është shumë më e lehtë të thuash e shumë më e vështirë ta bësh sepse kërkon që gjithçka që kemi bërë deri tani ta konsiderojmë një stad ku mund dhe duhet të ngjitemi në një nivel të ri. E për këtë arsye duhet me patjetër që trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri.
“Tirana Diplo 2024” mbahet nga 26-28 gusht në Pallatin e Kongreseve dhe janë të pranishëm ambasadorët dhe Konsujt e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.



