Edhe nëse nuk ia dini emrin, padyshim keni dëgjuar të paktën një pjesë muzikore të kompozuar prej tij ndërkohë që keni parë një film apo keni ndjekur programe televizive.
“Një grusht dollarë”, “Kinema Paradiso”, “Na ishte njëherë Amerika”, “I miri, I keqi dhe I shëmtuari”, “Të paprekshmit” apo “Oktapodi” janë vetëm disa nga shumë filma me të cilët lidhet në mënyrë të pandashme emri i kompozitorit Ennio Morricone.
I ndarë nga jeta vetëm disa ditë më parë në moshën 91 vjeçare, në karrierën e Morricone-s numërohen mbi 500 linja muzikore filmike të kompozuara prej tij.
Morricone, i cili në qytetin e tij të lindjes, në Romë njihej thjesht si “Maestro”, punoi në industrinë muzikore të filmit për më tepër se shtatë dekada.
Si një nga kompozitorët më të mëdhenj të kinemasë, Morricone pati një karrierë të gjatë në Hollivud dhe në kinemanë evropiane.
Por çfarë mund të kujtojmë në lidhje me Ennio Morriconen në raport me muzikën që ai krijoi?! Çfarë mund të themi për fillimet muzikore të Morricones dhe sa e vështirë ka qenë për të të bashkëpunonte me regjisorë të ndryshëm dhe të ishte pjesë e industrisë filmike përmes muzikës së tij?
Në një intervistë të tij të vitit 1995, Morricone rrëfen se filloi të kompozojë kur ishte gjashtë vjeç.
Është një histori thuajse e çuditshme, por fillova të kompozoj kur isha gjashtë vjeç. Im atë më mësoi notat muzikore. Ishim në pushime. Unë shkrova disa pjesë muzikore pa kuptim. Ishin tema gjuetie, që më pas i shkatërrova. Gjërat të cilat do t’i dëgjoja në radio do të më entuziazmonin. Isha i ngacmuar nga Der Freischütz e Weber. Shkruajta gjithë uverturën, të cilën do ta dëgjoja.
Morricone vëren se ishin mbase këto tema gjuetie, të cilat e ndihmuan të shkruajë për filmat western.
Këto tema kanë pak lidhje me muzikën që shkrova për filmat western të Sergio Leones.
Morricone bën me dije se fillimisht filloi të arranxhojë muzikë për filma për shkak të nevojës financiare.
Kisha nevojë të punoja për të jetuar. Doja ta mbaja sekrete pjesën e arranxhimit muzikor, por kjo nuk zgjati. Njerëzit filluan të thonë se isha arranxhues i mirë dhe sekreti im doli. Isha i njohur si arranxhues muzikor më tepër se sa si kompozitor. Fillova të kompozoj për televizion, radio, teatër dhe në fund për filma.
Leone e donte atë arranxhim me melodi sipër. E kompozova melodinë duke u nisur nga një fishkëllimë. Gjithmonë e kam inkurajuar Sergio-n ta harrojë këtë teknikë në filmat e tij të mëvonshëm. Por ai gjithmonë ka insistuar: tromba, duhet të shtosh trombat, shto fishkëllimën. Dhe ne e kemi fishkëllimën edhe në të tjerë filma.
Për këtë vijë melodike, Ennio dëshironte që kitara të ishte ekstremisht dramatike. Ajo çfarë ai dëshironte ishte një tingull i fortë.
Në filmat e Sergio Leonne-s, muzika e shkruar nga Ennio Morricone vinte e para dhe më pas xhironte skenat filmike në bazë të muzikës.
Sergio kërkonte tema të thjeshta, të lehta për veshin, tonale, popullore. Ai bie në dashuri me muzikën. Unë jam pianist i dobët, por nëse ai e pëlqen muzikën në piano, ai do ta dojë në orkestrim.
Muzika ishte e para në filmat e Leones dhe më pas vinin xhirimet. Por muzika nuk kishte rol primar vetëm për regjisorin Sergio Leone.
Nuk jam vetëm unë. Aktorë si De Niro për të cilët tingulli i gjallë është shumë i rëndësishëm interpretojnë ndërsa kanë muzikën që luhet në set. Diçka e tillë i ndihmon të futen në atmosferë. Më pas, ata regjistrojnë dialogun.
Seti i “Once upon a time in America”
Morricone ka krijuar muzikën për qindra filma, duke përfshirë klasikë, si: “Një grusht dollarë”, “I miri, i keqi dhe i shëmtuari”, duke rikrijuar perëndimin e egër të imagjinatës së Sergio Leone-s.
Kompozitori kujton në një nga intervistat e tij se Sergio Leone dëshironte nga muzika më tepër se sa regjisorët e tjerë. Mbase një ndër arsyet se pse bashkëpunimi i tyre ishte kaq i frytshëm dhe harmonik ishte pikërisht kjo dashuri e përbashkët për muzikën.
Në një libër të bazuar në intervista të marra prej tij, ai sulmon krijuesit e filmave, të cilët, sipas Morricones nuk arrijnë të kuptojnë fuqinë e muzikës për të rritur emocionet, ndërsa vëren se edhe disa kompozitorë të tjerë nuk i japin muzikës hapësirën që i takon, por e konsiderojnë ata thjesht një tingull zanor, “diçka që luhet në sfond”.
Ai kujton se ka raste kur ka shkuar në fazën e regjistrimit të muzikës pa pasur të dhëna për pritshmëritë e regjisorit. Ai kujton se shoku i tij italian Franco Zeffirelli kërkoi muzikë “pa tema, muzikë me humor dhe atmosferë, por “kur muzika ishte gati ... tha, “Nuk keni shkruar asnjë temë”.
Për Morriconen, ajo çfarë e bën më të vështirë punën e kompozitorit janë ata regjisorë, të cilët kanë nevojë të dinë dhe kontrollojnë çdo detaj të punës së tyre dhe kështu nuk i lënë kompozitorët të bëjnë punën e tyre, por marrëdhënia duhet të bazohet në besim.
Kompozitori, i cili ka përshtatur stilin e tij muzikor në pothuajse çdo zhanër të filmit dhe që nga viti 1960 ka realizuar vijën muzikore të më shumë se 500 filmave duket se këtë marërdhënie besimi e ka krijuar më së shumti me Sergio Leonen.
FILMI KLASIK ME MUZIKË IKONIKE
Kur “I Miri, I Keqi dhe I Shëmtuari” (The Good, The Bad And The Ugly) pati premierën e tij në 1967, në SH.B.A., kritikët nuk u impresionuan., madje përkundrazi nuk thanë fjalë të mira për filmin. Por, filmi, ku interpreton Clint Eastëood, u bë një film klasik dhe muzika e kompozitorit Ennio Morricone do të bëhej ikonike.
Sipas Morricones, “Nuk ka muzikë të rëndësishme pa një film të madh që ta frymëzojë”, ndërsa te ky film i Leone-s, “Ka dramë dhe argëtim në të njëjtën kohë”.
Morikone u bashkua me Sergio Leone-n për herë të fundit në “Na ishte një herë Amerika” (1984) dhe bashkëpunoi në një duzinë filmash me Tornatore-n, përfshirë “Kinema Paradiso” (1988), fituesin e “Oskarit” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Nuk e pëlqente aspak termin “spaghetti ëestern” dhe theksonte, se puna e tij në atë zhanër përfaqësonte vetëm një pjesë të karrierës së tij.
TË KOMPOZOSH PËR FILM
Për Ennio Morriconen të shkruash për kinemanë është diçka krejt ndryshe se sa të shkruash për lloje të tjera të muzikës.
Filmi, historia e filmit udhëheq dhe duhet të udhëheqë idetë e kompozitorit. Së pari duhet të kuptosh filmin, imazhet, historinë, qëllimet e regjisorit madje edhe ato çfarë ai dëshiron të evitojë”. Muzika më e mirë e filmit është muzika që mund të dëgjosh. Ajo që nuk mund të dëgjosh, pavarësisht sa e mirë është, është muzikë e keqe filmi. Filmi është kështu. Një pjesë e madhe e muzikës sime dhe e kompozitorëve të tjerë është gjykuar keq, sepse regjisori nuk i ka dhënë hapësirën apo volumin e duhur.
Ai rrëfen se kur i vjen një ide, vrapon dhe hedh notat.
Nuk kompozoj në piano siç bëjnë disa të tjerë. Kompozoj në tryezë. Në ndryshim nga kompozitorët e tjerë kur orkestroj shkruaj direkt në partiturë.
ARRANXHIMI, MUZIKA ‘ABSOLUTE’ DHE AJO PËR FILM
Enio Morricone u lind në Romë në vitin 1928. Familja e tij ishte një familje e thjeshtë e klasës punëtore. I ati i tij kishte interpretuar në trombë në lokale nate dhe teatro variete. Puna e të atit ishte i vetmi burim të ardhurash për familjen. Për këtë arsye, kur babai i tij ishte sëmurë, Ennio zinte vendin e të atit. Ennio kaloi kohë të vështira gjatë periudhës së studimeve në konservator. Ishte gati skandaloze për një student trombe të dëshironte të studionte kompozim.
Jeta e tij e dyfishtë filloi gjatë studimeve. Ditën ai do të studionte fort në konservator ndërsa natën do të interpretonte në trombë, duke zëvendësuar të atin ose duke kompozuar për industrinë muzikore.
Është thënë se Morricone është babai i arranxhimit modern. Ai revolucionarizoi konceptin e arranxhimit.
Kam vendosur gjithmonë tinguj konkretë, zhurma të së përditshmes në punët e mia. Shumë njerëz ndoshta mendojnë se jam kapriçoz duke vendosur zhurmën makinës së shkrimit apo tingullin e kanoçeve në kompozimet e mia. E bëj këtë që t’i jap një lloj aktualiteti.
Sukseset e Morricones në film errësuan punët e tij në koncerte, por ai megjithatë ai vazhdoi të orkestrojë edhe për koncerte orkestrale.
Mendoj se puna e të kompozuarit film është pak ambige në sensin që nuk kompozon muzikë absolute, por muzikë për kinema, muzikë të aplikuar. Këta dy lloj kompozitorësh nuk mund të jenë të njëjtë, sepse muzika e aplikuar është për një lloj tjetër artisti, që është regjisori. Ndërsa muzika absolute është për atë që e shkruan, për idenë e tij, për atë çfarë ai ndien. Kështu, muzika e aplikuar ka kushte, ndërsa muzika absolute të jep më tepër liri. Në shumicën e rasteve mendoj se kam qenë në gjendje të përfshij personalitetin tim në film. Muzika absolute nga ana tjetër është më shkencore në kuptimin që ai që e shkruan duhet të gjejë arsye pse e shkruan atë notë. Nëse nuk gjen këtë përgjigje pjesa nuk do të funksionojë.
“RILINDJA” NË KINEMANË AMERIKANE
Ndërkohë, pas vitit 1980 Morricone e pakësoi ndjeshëm punën e tij në kinema.
Pas 1980-ës e pakësova punën në kinema mbi të gjitha sepse doja të përqendrohesha në muzikën për koncerte. Kështu që refuzova mjaft filma.
Por një arsye krejt e ndryshme e bëri atë të refuzojë filmat amerikanë: pagesa.
Ndalova së punuari për Amerikën. Kurrë nuk kam folur për para, jam shumë i turpshëm, por nuk isha paguar më shumë se sa kompozitorët më të këqinj amerikanë.
Pas suksesit të filmit “Misioni” (The Mission) pagesa e Morricones u rrit dhe më në fund ai filloi të paguhej maksimalisht.
Ky film shënoi ringjalljen time në tregun amerikan.
“REVOLUCIONI MBI KATËR NOTA”
Kur Gillo Pontecorvo (Xhilo Pontekorvo) i kërkoi të shkruante muzikën e filmit “Beteja e Algjerit”, një film lufte historik, prodhim i vitit 1966, Ennio kishte një kontratë me producentin, që përfundoi para se të mbyllte punën dhe në fund, Gillo-s iu desh gjithashtu të shkruante muzikën.
Kjo ishte hera e fundit që Pontecorvo bënte diçka të tillë, sepse ai vendosi që në filmat e tjerë muzika të ishte vetëm e Morricone-s.
Në fillim raporti ishte shumë i vështirë. Na u desh rreth një muaj të kuptonim njëri-tjetrin. Ai më solli gjëra që nuk i doja. Festivali i Venecias ishte afër, por muzika nuk ishte gati. Pastaj, një natë më erdhi në mendje tema e Aliut.
Filmi përqendrohet kryesisht tek luftëtari revolucionar Ali La Pointe gjatë viteve ndërmjet 1954 dhe 1957 kur luftëtarët guerilë u riorganizuan dhe u zgjeruan në Casbah, kështjellën e Algjerisë.
Ai erdhi me katër nota mbi të cilat punova për të krijur melodinë. Ato katër nota u bënë esenca e cilësisë së filmit, tema e revolucionit.
Jo më pak të rëndësishëm janë edhe filma të tjerë të kompozuar nga Morricone, siç është përshembull filmi me regji të Bernardo Bertoluçit, 1900 një prodhim i vitit 1978.
Më kujtohet se më pëlqeu vërtet filmi kur e pashë. Shkrova disa tema ndërsa pashë filmin. Kam një metodë timen për ta bërë këtë. Këto tema janë shpirti i filmit. Nuk ka muzikë të rëndësishme pa një film të madh që ta frymëzojë.
Ndërsa për filmin e Brian De Palma, “Fatkeqësitë e luftës” (Casualites of Ëar) ai shprehet se kishte ndier mënyrën se si De Palma kishte xhiruar vdekjen e saj dhe mbi atë ndjesi shkroi muzikën.
Përsa i përket filmit të De Palmas, ku vajza vietnameze merret nga marinsat amerikanë ndjeva mënyrën se si De Palma ka xhiruar vdekjen e saj. Ishte si një zog i vogël i qëlluar në fluturim, që përpëlit krahët e që në fund bie përtokë.
MARIA, NJË HISTORI DASHURIE
Pak para vdekjes së tij, kompozitori legjendar italian Ennio Morricone la një letër lamtumire për miqtë dhe familjen e tij. Mesazhi më domethënës ishte për gruan dhe shoqen e tij për më shumë se 60 vjet, Maria Travia.
"Për dashurinë e jashtëzakonshme që na ka mbajtur së bashku dhe të cilën më vjen keq ta braktis. Për ty lamtumirën më të dhimbshme", shkruan Morricone.
Në vitin 2007 kur ai mori një Oscar honorifik ai ia dedikoi atë gruas, që e kishte duaruar “mungesën” e tij. “Është një akt drejtësie. Ndërsa unë kompozoja, ajo sakrifikonte veten për familjen dhe për fëmijët tanë”,- tha ai.
Edhe në vitin 2016, kur kompozitori ngriti përsëri statujën e Akademisë së Filmit në Hollivud për muzikën e “The Hateful Eight” nga Quentin Tarantino ai u shpreh se ia kushtonte këtë çmim gruas së tij, Maria, të cilën e cilësoi si mentorin e tij.
Historia e tij e dashurisë daton që nga viti 1950, kur Morricone ende nuk kishte shkëlqyer në botën e kinemasë. Maria ishte shoqe me Adrianën, motrën e tij dhe u takuan rastësisht me njëri-tjetrtin.
“Më pëlqeu shumë dhe ajo më pëlqeu pak më pak”, do të kujtonte ai në një intervistë për gazetën italiane “Il Corriere della Sera”. Menjëherë pas kësaj, Maria pësoi një aksident që e bëri të kalonte njëfarë kohe në spital. Morricone qëndroi gjatë gjithë kohës buzë shtratit të saj dhe kështu erdhi dashuria, “dita- ditës, pak nga pak, sepse në dashuri ashtu si në art, qëndrueshmëria është gjithçka”, shpjegoi Morricone.
Dhe pikërisht ky ishte një nga sekretet e marrëdhënies së tyre prej shtatë dekadash.
"Nuk e di nëse ka dashuri në shikim të parë apo intuitë të mbinatyrshme. Por unë di se ka qëndrueshmëri dhe seriozitet, dhe natyrisht besnikëri”,- shtoi ai.
Ata u martuan në vitin 1956, në Romë, ku gjithmonë jetuan bashkë dhe patën katër fëmijë. Gjatë gjithë kësaj kohe ata ndërthurnin sukseset profesionale me lindjen e një fëmije. Lindja e Alessandra-s përkoi me premierën e “Federali” në vitin 1961. Ndërsa “Për një grusht dollarë”, bashkëpunimi i tij i parë me Sergio Leone përkoi me ardhjen në jetë të Andrea-s, i cili gjithashtu i është kushtuar muzikës, ashtu si babai i tij. Djali i tij më i vogël, Giovanni, erdhi në jetë në vitin 1966, në të njëjtin vit kur ai pati premierën e “I miri, I keqi dhe i shëmtuari”.
Për Morricone-n, Maria ishte burimi i frymëzimit, bashkëpunëtorja e tij besnike në prapaskenë dhe kritikja kryesore e krijimeve të tij.
Është ajo që më gjykon para gjithkujt. Ndonjëherë regjisorët zgjidhnin pjesët më të këqija të të gjithë atyre që u propozoja. Më pas, unë duhej t’i rregulloja ato si të mundja, me instrumentizim, për shembull. Por ia dola mbanë me një metodë: I kërkova gruas time të dëgjonte të gjitha temat muzikore.
Erdhi një moment dhe Morricone e kuptoi se balancimi i karrierës së tij të suksesshme me jetën personale nuk ishte i lehtë.
Të jetosh me dikë që bën punën time nuk është e lehtë. Vëmendja ushtarake, oraret e rrepta, ditë të tëra pa parë njeri. Unë jam një person i ashpër, para së gjithash me veten time dhe për këtë arsye edhe me ata që janë rreth meje.
Për pesëdhjetë vjet jemi parë shumë pak me njëri-tjetrin: Unë ose kam qenë me orkestrën ose kam qenë i kyçur në studion time duke punuar”, vërejti Morricone ndërsa fliste për Marian. Maria ka qenë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e procesit krijues të bashkëshortit të saj dhe ka bashkëpunuar, duke shkruar vargje për disa nga vijat melodike të njohura të Morricone-s, siç janë disa pjesë nga “Kinema Paradiso” (1988), “Misioni” (1986), etj.
Muzikanti dhe kompozitori 91-vjeçar Ennio Morricone ka lënë pas një trashëgimi të madhe muzikore. Filma të tjerë të famshëm, ku ai mban emrin e kompozitorit janë: “Kinema Paradiso”, “Legjenda e 1900”, “Malena”, “Të paprekshmit”, “Misioni U-Turn”, “The Hateful Eight” etj.
Morricone, i cili e filloi karrierën si kompozitor i muzikës filmike në vitin 1961 me filmin “Federali” do të fitonte famë botërore. Gjatë krijimtarisë së tij ai bashkëpunoi me shumë regjisorë italianë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Sergio Leone, Gillo Pontecorvo, Pier Paolo Pasolini, Bernardo Bertoluçi, Giuliano Montaldo, Lina Wertmuller, Giuseppe Tornatore, Brian De Palma, Roman Polanski, , Oliver Stone, Pedro Almodovar etj. Prodhimi i tij muzikor absolut përfshin mbi 100 pjesë të kompozuara nga viti 1946 e deri më sot. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Ennio Morricone gjithashtu ka marrë shumë çmime, përfshirë çmimet Oscar dhe Luanin e Artë. Morricone ishte i gjithanshëm në muzikën që krijonte dhe filmat për të cilët ai ka shkruar muzikën përfshijnë një gamë të gjerë lloje filmash, që nga filmat Western te filmat horror apo komeditë.
Ajo çfarë mund të themi mes shumë të tjerash është se filmat nuk do të ishin të njëjtë pa Ennio Morricone-n dhe Ennio Morricone në kinema ndryshoi jo vetëm muzikën, por gjithë botën e filmit.
Përshtati: Blerina Goce



