
Qeveria shqiptare ka deklaruar në Bruksel se do të shfuqizojë ligjin për investimet strategjike dhe do të rishikojë ndryshimet e bëra në ligjin për zonat e mbrojtura.
Lidhur me këtë zhvillim, aktivisti i organizatës PPNEA, Joni Vorpsi, u shpreh në edicionin e lajmeve në MCN TV se, megjithëse ky është një hap i pritshëm, ende nuk ka garanci se qeveria do të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura.
Ky ishte një veprim që e prisnim, pasi ishte një angazhim i marrë në kuadër të procesit negociues mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që prej shtatorit të vitit 2025.
Megjithatë, deri më sot nuk kemi parë asnjë hap konkret apo nismë nga qeveria shqiptare për ta ndryshuar ligjin, pra për të zbatuar atë që kishte premtuar.
Edhe në takimet e zhvilluara me Ministrinë përgjegjëse, përpara nisjes së protestave, organizatat mjedisore kemi kërkuar sqarime mbi fatin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Në diskutimet që kemi pasur me ministrinë kemi ngritur vazhdimisht pyetjen se çfarë do të bëhej me ligjin për zonat e mbrojtura.
Ne kemi kundërshtuar shtyrjen e ndryshimeve deri në vitin 2027, siç ishte parashikuar fillimisht nga qeveria, dhe na ishte premtuar se ato do të realizoheshin gjatë vitit 2026.
Sipas Vorpsit, deklaratat e fundit të qeverisë nuk mjaftojnë për të krijuar besim.
Nuk ka siguri. Nga njëra anë qeveria thotë se do të ndryshojë ligjin, por nga ana tjetër vazhdon të shtyjë përpara ndërtimet brenda zonave të mbrojtura.
Kjo krijon paqartësi dhe nuk garanton mbrojtjen reale të këtyre territoreve.



