Në studion e lajmeve të MCN TV, gazetarja Ola Xama tha se vendimi i SPAK për 15 masa arresti për inceneratorin e SPAK është jo shterues. Xama shtoi se deri tani, puna e bërë nga SPAK të krijon idenë se po punohet me dy standarde, megjithëse hetimi nuk është mbyllur ende.
Unë e shoh vendimin për masën e arrestit jo shteruese, por të vonuar. Nëse ne shohim shkeljet që ka konstatuar prokuroria, shohim shkelje të konsiderueshme. Mund të renditen 6-7 shkelje të dhënies me koncesion, të cilat nuk mund të bëhen vetëm nga një komision. Kemi ndonjëherë dy standarde. Ka disa fakte që logjikisht nuk shkojnë. Në rastin e Ministrisë së Mjedisit miraton praktikën që nuk do të ketë landfill, por incenerator, ka pasur koordinim me Bashkinë e Tiranës. Për Lefter Kokën kemi akuzë, për kryebashkiakun nuk kemi. Megjithatë, masat e arrestit që u dhanë dje nuk janë mbyllja e hetimit.
Kryebashkiaku ka firmosur një dokument që merr përsipër financimin e inceneratorit. Kemi fillimisht fazën që merret vendimi për landlfillin e Sharrës. Sot që flasim një pjesë e parave të inceneratorit paguhen nga buxheti i shtetit.
Xama tha se SPAK duhet të bëjë transparencë për procesin e hetimit.
Në total bëhet fjalë për një shifër 430 milionë euro për 30 vjet koncesion. Po të llogaritim edhe një tarifë që SPAK e ka quajtur tarifë të fshehtë, është ajo e depozitimit të dherave të ndërtuesve. Pra kontrata e inceneratorit të Tiranës mund të kalonte edhe 430 milionë euro.
Nëse bëjmë analogji me zotin Ahmetaj, SPAK nisi hetimet për të dhe më pas pati një kthesë pas ndryshimit të grupit të prokurorëve: iu bë hetim pasuror, u mor në pyetje rrethi më i afërt.
Nëse shohim këtë standard hetimi, pasi Ahmetaj ka dhënë një miratim pa koment, ai që ka marrë përsipër inceneratorin e Tiranës a ka pasur shkelje? Këtë duhet të na e sqarojë SPAK duke bërë transparencë për procesin e hetimit.
Tarifa nuk ka ndryshuar. Administrimi i inceneratorit bëhet, paguhet e njëjta tarifë, por këto para kanë një menaxher të caktuar nga shteti.
Sipas saj, ajo që i intereson direkt publikut është të gjenden paratë.
Për hetimin e shumë aferave shpenzohet dhe minimalisht duhet të dalin shpenzimet e hetimit. Duhet të hetohen të gjthë dhe të dalin emrat e zyrtarëve të përfshirë. Të shihet edhe përfshirja e biznesmenëve shumë të rëndësishëm që janë lënë në hije.



