Prej kohësh, minatorët kanë mbajtur një sërë protestash përmes të cilave kërkojnë miratimin e statusit të minatorit, rritje e pensioneve dhe kushte më të mira pune.

Ish-minatori Mark Gjergji tha në një lidhje Skype me studion e MCN Informacion se pavarësisht kërkesave dhe takimeve të herëpashershme me zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë edhe kryeministrit, statusi i minatorit nuk u është dhënë.

Është ngritur një grup pune në ministri që asnjë ditë nuk është mbledhur për statutin e minatorit. Vetëm na gënjejnë e na mashtrojnë nga viti në vit.

Na kanë premtuar prej 7 vitesh statusin e minatorëve. Kam takuar edhe kryeministrin më 2 maj 2024 dhe më mashtroi e më tha që statusin e keni. Ku e kemi këtë status me 200 mijë lekë? Kur ai vetë rrogën e ka 4 milionë lekë?

Gjergji tha se minatorët kërkojnë pension mujor në masën 130% e pagës si dhe mbulim të shpenzimeve spitalore.

Kemi kërkuar statusin siç e kemi pasur para 90. Me spitale dhe ilaçe të rimbursuara. Ka 34 vite që nuk i përfitojmë. Një neglizhencë dhe mungesë përgjegjshmërie. Nuk ka një qeveritar që i shërben kësaj shtrese. Jam tepër i indinjuar dhe do ta vazhdojmë luftën deri në fund që ta çojmë në fund kërkesën tonë sepse i kemi dhënë kaq shumë këtij shteti. Ne kemi nevojë për ilaçe e vizita. Shumë prej nesh kanë nevojë për t’u shtruar e për t’u kuruar.