Deputetët demokratë po refuzojnë në Kuvend interpelancën me Elisa Spiropalin, të deleguarën e kryeministrit Rama për të dhënë sqarime mbi skandalin “McGonigal”.
Deputeti Gazment Bardhi tha se Edi Rama po keqpërdor ministren dhe po fshihet pas fustanit të saj.
Spiropali na tha ‘pse keni frikë’! Problem është pse ka frikë Rama të vijë në Kuvend, pse po e keqpërdor ministren dhe të fshihet pas fustanit të saj?! Të vij këtu, të japë llogari, të sqarojë opinion publik ku i ka gjetur 225 mijë dollarët, është aferë personale e Ramës, nuk ka rregullorja e Parlamentit që kryeministri mund t’i delegojë interpelancën te dikush tjetër. Kërkoj shpjegime për Ramën, jo për Spiropalin, bëhuni serioze, ushtoni autoritetin si kryetare Kuvendit, ju jeni aty si garante e Kushtetutës, jemi republikë parlamentare dhe jo kryeministrore”.
E menjëhershme ishte replika e Spiropalit e cila iu drejtua Bardhit me fjalët:
Nuk ka rëndësi a vishem me fustan apo pantallona! E rëndësishme është që këtu të vijmë dhe të flasim të vërteta. Nuk mund të lejojmë që ju të ngrini gënjeshtra dhe të pretendoni që ne të mos ju japin përgjigje. Po ju pyes i doni apo nuk i doni përgjigjet? Z. Bardhi këtë mund ta pres nga ata që kanë mbetur jashtë, nuk e pres këtë nga ju. Nuk mund të vini këtu të hidhni akuza që nuk ekzistojnë në asnjë dosje, por si duket me ata që rri ashtu bëhesh. 26 shpirtra e prisnin Berisha junior në derën e SPAK ndaj u bllokua kjo foltore. përgjigjen e keni marrë dhe do ta merrni”.
Në fjalën e saj Spiropali theksoi se akuzat janë vetëm për konsum politik dhe PD nuk ka asnjë lloj serioziteti në lidhje me çështjen e ish-agjentit e FBI.



