Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi sulmin ndaj kryedemokratit Sali Berisha, anëtari i Kryesisë së PD Aldo Bumçi e konsideroi si sulm ndaj institucionit të opozitës shqiptare. Sipas tij ngjarja e djeshme është pjesë e një sulmi publik një vjeçar që ka për synim vrasjen e opozitës, dhe praninë e saj vetëm në letër, si në Rusi apo Serbi.
Sulmi ishte publik. Nuk është ndaj një individi privat, ku edhe ai ka të drejtë të ketë shpjegimet e tij, jo më kur sulmi bëhet ndaj një institucioni që është opozita shqiptare. Sulmi ndaj tij është sulm ndaj opozitës dhe çdo zëri kritik me qeverinë. Po të vinte në një situatë normale do ishte e rëndë por s’do nxitonte njeri të gjente fajtorin. Është shoqëruar prej të paktën një viti, nga një sulm publik duke përfshirë parlament, gjykata, dhe një sulm mediatik i gjithanshëm ndaj opozitës, për ta vrarë, për ta pasur në letër. Fakti që iu drejtuan si deputeti Berisha, mjafton për të kuptuar që sulmi është bërë nga Rama. Përse nuk i drejtohen si kryetar i opozitës. Rama kërkon një opozitë në letër si Putini dhe Vuçiçi.
Jemi në një histori turpi dhe shumë të rrezikshme, ku në mes të Evropës, dhe një anëtar të NATO-s, përpjekjet për ta shkatërruar opozitën janë publike. Edhe një fëmijë të pyesni do të thotë që Berisha është kryetar i opozitës. Këtë se di Rama?! Ka gjyqtar që s’e sheh bulevardin plot?! Pse shtyhet vendimi. Ne jemi struktura paralele e opozitës reale që është Alibeaj! Është kjo është e vërteta?! Kemi të bëjmë me një shtet tërësisht të kapur. Në këtë Shqipëri ku pushtetet janë në duart e një personi, barriera e fundit është opozita. Nuk ka media dhe drejtësi të pavarur pa opozitë”.
Aldo Bumçi tha se prapa sulmit ndaj Berishës qëndron vetë kryeministri Rama. Duke e konsideruar qeverinë një “diktaturë të kohëve moderne”, Bumçi tha se sulmi “ishte mesazh që kur unë godas kryetarin e opozitës, të tjerët i shkel si insekte”.
Z. Berisha ka bërë takime nga Veriu në Jug për foltoren, takime të tjera për zgjedhjet në PD, zgjedhjet lokale, ka bërë 60-70 takime. I ka rënë Shqipërisë përqark dhe s’ka pasur asnjë problem. Çfarë ndodhi dje? Patëm një sulm të dhunshëm verbal nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm, kur sulmi vjen prej tyre, kundër të drejtës legjitime dhe themelore për tubim, çfarë ishte ai sulm?! Si mund të justifikohet një sulm kundër tubimit që është e drejtë e opozitës. Pse u detyrua BE që të reagonte dhe të thoshte që protesta ishte e drejtë e opozitës. Hyjmë te detajet e vogla. Personi që goditi Berishën s’u soll si një person që s’ishte i arsyeshëm. Si ka mundësi me shpejtësi rrufe, s’kishte kartë identiteti dhe telefon me vete, që mos identifikohej. Si ka mundësi doli në media menjëherë një dokument që vërtetonte se ai ishte një i sëmurë mendor. Ai dokument s’përbënte një dokument që kishte dalë nga ekspertë mjeko-ligjor, nuk është një kartelë mjekësore, por kishte dalë nga një mjek i vetëm. Dokumenti që u bë publik nuk e vërteton se ishte i sëmurë mendor. Por edhe nëse ishte, kjo s’e mbyll pistën që njerëz e kanë nxitur për ta ndërmarrë atë akt. Pse nxiton policia?! Ka vetëm një mënyrë për ta lexuar këtë ngjarje, që mbrapa sulmit është Edi Rama. Nëse do ishte shenja e parë do ndryshonim kurs. E dimë që kemi përballë një regjim që ka kapur gjithçka, korrupton këto brenda dhe jashtë vendit, për të shuar çdo zë. Goditi kryetarin e opozitës dhe këtu kemi përshkallëzim, sepse një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur. Me përshkallëzimin e djeshëm ky ka treguar që s’njeh limit. Njerëzit e lirë që e duan këtë vend të zgjohen nga naiviteti. Të gjithë të jemi të vetëdijshëm se vetëm ne do ta shpëtojmë këtë vend nga Rama. Ishte mesazh që kur unë godas kryetarin e opozitës, ju të tjerëve ju shkel si insekte. Kjo është diktaturë, në kohë moderne. Që i ka në letër të gjitha, por sulltanin s’e prek njeri. Ka humbur qetësinë sepse e sheh që ka një pakënaqësi popullore dhe masive. Jo vetëm një opozitë, por një shoqëri duhet t’i dalë Zot vetes”.
I pyetur nëse organi i akuzës duhet ta thërrasë kryedemokratin për dëshmi, Bumçi u shpreh:
Të thërritet Berisha në Prokurori për të thënë çfarë? Që u godit teksa po ecte në rrugë! Cilën dëshmi?!”
Ai shtoi se:
Samiti është ngjarje shumë e rëndësishme, që vijon të tregojë që nga Samiti i Selanikut, që Ballkani ka perspektivë reale anëtarësimi ne BE, por do bazohet në reformat dhe progresin e çdo vendi. Procesi i Berlinit u krijua për t’i mbajtur këto vende lidhur me Europën”.
Bumçi tha se u zgjodh Tirana dhe jo Beogradi, për shkak se Serbia ka mbajtur qëndrime pro ruse dhe s’i është bashkëngjitur sanksioneve të Brukselit ndaj Moskës.
Duke folur mbi çështjen e detit, Bumçi tha:
Pas 8-9 vjetësh Rama vërtetoi që nuk arriti asnjë marrëveshje më të mirë se e jona. Ky është rrëzim i propagandës së marrëveshjes së parë. Humbi 9 vite me kosto të madhe. Kur ne vendosëm ta çonin çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare, Greqia e kishte shtrirjen në 6 milje, tani Greqia ka deklaruar që shtrihet deri në 12 milje, deklaratë që duhet të ishte ndjekur dhe depozituar në OKB dhe ministrinë e Jashtme greke, që jemi kundër saj. Sot Greqia hyn në proces me 12 milje dhe jo me 6 milje sa ishte në 2011-2012”.



