
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bën me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill. Vuçiç i ka thënë ambasadorit se serbët në Veri të Kosovës dhe Metohisë janë të tmerruar nga shkarkimi i Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me riregjistrimin e targave, duke pretenduar se Prishtina nuk po respekton marrëveshjen e Brukselit.
“Në një bisedë të gjatë dhe kuptimplote telefonike me ambasadoren Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes, respektimin e së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara. Gjithashtu theksova tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës dhe lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, të cilat e vënë në pikëpyetje sigurinë dhe stabilitetin e tyre në të gjithë rajonin”, shkruan Vuçiç.
Ambasadori Hill kërkoi nga presidenti Vuçiç që Serbia të sillet me përgjegjësi dhe të përmbahet nga veprimet që mund të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin rajonal. Kujtojmë që sot Lista Serbe vendosi të largohet nga të gjitha institucionet politike në Kosovë. Më herët përmes një mesazhi në rrjetet sociale kryeministri Kurti u bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e manipulimeve politike. Ndërkaq, Policia e Kosovës mohoi të ketë dërguar njësi speciale në Veri të vendit, por theksoi se do të merren masa në rast se cenohet siguria e qytetarëve dhe rendi kushtetues i vendit.



