Kosova vazhdon të jetë imune ndaj virusit Covid-19, duke mos shënuar deri tani asnjë rast.
Lajmi është bërë publik nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, sipas të cilit, janë testuar 75 mostra të dyshuara me virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
“Nga data 08.02.2020 deri më 10.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 75 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, citohet nga deklarata.
IKSHPK-ja, thekson se mbrëmjen e datës 10 mars, janë konstatuar 7 raste të dyshimta nga Klinika Infektive dhe një në Spitalin Amerikan.
Pas analizave të bëra për tetë pacientët, ata rezultuan se nuk janë të prekur nga koronavirusi.
“Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 metodën rRT-PCR të tetë pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tetë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2”, thuhet në deklaratën e IKSHPK.



