
Sonda “Curiosity” vijon të eksplorojë Marsin. Që prej vitit 2014, sonda ka eksploruar Malin me Majë dhe së fundmi ka hyrë në një rajon me argjilë, ku mund të gjenden të dhëna të reja rreth potencialit të lashtë që Marsi ka pasur dikur për të bërë të mundur jetën.
Sonda hasi një pengesë të premten e kaluar, kur për shkak të një avarie ndërpreu aktivitetin e saj të planifikuar dhe kaloi në opsionin safe mode. Ajo u riparua të martën më 19 shkurt dhe po funksionon normalisht.
Ndërkohë në stacionin e NASA-s në Pasadena, Kaliforni, po analizohen të dhënat e dërguara nga sonda, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i avarisë.
"Ne ende nuk jemi të sigurt për shkaqet e sakta dhe po mbledhim të dhënat përkatëse për analyze. Sonda pati një rikthim në gjendje fillestare, por që atëherë ka funksionuar normalisht, gjë që është shenjë e mire. Ne jemi duke punuar për të marrë pamjet e ruajtura të saj për të kuptuar më mirë se çfarë mund të ketë ndodhur", tha Steven Lee, zëvendësdrejtor i projektit “Curiosity”, në NASA.
“Curiosity” është njëra nga dy anije kozmike të NASA-s që studiojnë në mënyrë aktive sipërfaqen e Marsit. “InSight”, një tjetër sondë, zbriti në sipërfaqen e Marsit më 26 nëntor. Ndërsa sonda “Oportunity”, e cila punoi për më shumë se 14 vjet, e ka përfunduar misionin e saj.
“Curiosity” po eksploron një rajon të quajtur Glen Torridon, ku mineralet e argjilës mund të shihen nga orbita. Mineralet e argjilës, të cilat formohen në ujë, janë veçanërisht interesante për ekipin shkencor të sondës, pasi do t’i shërbejnë studimit të mjediseve ku mund të zhvillohet jeta dhe ujit, që luan një rol kyç në këtë aspekt.



