Kroçera më e madhe në botë është nisur nga Miami, Florida, në udhëtimin e saj të parë. Lundrimi i saj i parë shoqërohet me shqetësime për sasinë e madhe të metanit të emetuar prej saj.
“Ikona e deteve”, 365 metra e gjatë, ka 20 kuverta dhe mund të strehojë maksimumi 7600 pasagjerë. Ajo është në pronësi të grupit Royal Caribbean.
Anija është në një udhëtim shtatë-ditor në Karaibe për të vizituar ishujt. E ndërtuar në 900 ditë punë në një kantier detar në Turku, Finlandë, anija, e regjistruar në Bahamas, ka shtatë pishina dhe gjashtë rrëshqitëse uji. Ajo ka kushtuar 2 miliardë dollarë (1.8 miliardë euro) për t'u ndërtuar dhe përmban më shumë se 40 restorante, bare dhe sallone.
Ambientalistët paralajmërojnë se anija që punon me gaz natyror të lëngshëm (LNG) do të lëshojë metan të dëmshëm në ajër. Edhe pse LNG-ja digjet më pastër se karburantet tradicionale detare, të tilla si nafta, ekziston rreziku që një pjesë e gazit të ikë, duke bërë që metani të dalë në atmosferë. Metani është një gaz serrë shumë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit.
"Është një hap në drejtimin e gabuar," tha Bryan Comer, drejtor i programit detar të Këshillit Ndërkombëtar për Transport të Pastër (ICCT), i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters. “Ne vlerësojmë se përdorimi i LNG-së si lëndë djegëse detare lëshon më shumë se 120% më shumë emetime të gazeve serrë të ciklit jetësor sesa nafta detare,” shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave, ICCT publikoi një raport duke pretenduar se emetimet e metanit nga anijet me karburant LNG janë më të larta se sa përcaktojnë rregulloret aktuale. Një gaz i fuqishëm serrë, metani në atmosferë ruan 80 herë më shumë nxehtësi se dioksidi i karbonit gjatë 20 viteve. Ulja e këtyre emetimeve konsiderohet vendimtare për ngadalësimin e ngrohjes globale.
Royal Caribbean thotë se Icon of the Seas është 24% më efikas në energji sesa kërkon Organizata Ndërkombëtare Detare për anijet moderne. Kompania planifikon të prezantojë një anije me emetim zero deri në vitin 2035.



