
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka nisur një turne në vendet e Evropës Qendrore që kanë për qëllim kundërshtimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës, pas një dekade në të cilën rajoni është lënë mënjan nga diplomacia e SHBA.
Fillimisht shefi i diplomacisë amerikane do të vizitojë Hungarin më pas do shkojë në Sllovaki dhe Poloni, ndërsa udhëtimi i tij pritet të plotësohet me disa vizita në Bruksel dhe Islandë.
Pompeo në Budapest të hënën, do të ketë disa takime para se të darkojë me kryeministrin e vendit Viktor Orbán. Veprimet dhe fjalët e kreut të qeverisë hungareze në lidhje me emigracionin, të cilin ai konsideron kërcënim për "kulturën e krishterë" dhe ndërtimin e një gardhi përgjatë kufirit të vendit, janë të ngjashme me pjesën më të madhe të retorikës së presidentit amerikan Donald Trump.
Në një konferencë për shtypin përpara udhëtimit, një zyrtar i lartë i administratës Trump tha: "Ka qenë pjesërisht mungesa e angazhimit të fortë të SHBA gjatë dekadës së fundit në Evropën Qendrore që ka krijuar vakumet të cilat që Kina dhe Rusia ka gjetur mundësinë që ti mbushin’’.
Orbán ka marrëdhënie të mira me presidentin rus Vladimir Putin, duke ngritur shqetësime se Rusia mund të përdorë Budapestin si bazë për spiunimin dhe operacionet e tjera të influencës në Evropë. Ndërsa Trump ka vlerësuar shpesh Putin, departamenti i shtetit e ka bërë të qartë se kundërshtimi i ndikimit të Moskës në Evropë mbetet një prioritet.
Nga ana tjetër zyrtarët kanë thënë se bisedimet do të fokusohen “në përpjekjet që po bëhen për të rritur bashkëpunimin në siguri, në luftimin e agresionit rus si dhe mbështetjen e Ukrainës”, midis të tjerash pritet të diskutojnë dhe rolin e Hungarisë në Afganistan si dhe luftën ndaj militantëve të shtetit islamik në Lindjen e Mesme.
Të martën, Pompeo do të udhëtojë në Bratislavë, ku do të takohet me udhëheqësit e Sllovakisë, përpara se të vizitojë Varshavën në një konferencë të SHBA-së për Lindjen e Mesme.



