Kryeministri Rama ka premtuar sot një tjetër fazë të modernizimit të shërbimeve në sportele. Rama tha se duke nisur nga viti i ardhshëm, do të mbyllet një pjesë e mirë e sporteleve dhe shërbimet që ato ofrojnë do të kalojnë online.
“Ka ardhur koha të bëjmë një hap të madh para dhe të nisim nga viti i ardhshëm në heqjen e të gjitha letrave dosjeve, dokumentave, për kërkesat e qytetarëve në masën mbi 90%, d.m.th. duke nisur nga viti i ardhshëm hyjmë në një fazë revolucioni që ka nisur në disa drejtime me shërbimet, po kjo fazë do të jetë një përmbysje e madhe, shumë shërbime nuk do të jepen më duke i kërkuar qytetarit të vijë në sportel, duke bërë varavingo, por duke i dhënë mundësinë të aplikojë on line”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, kjo do të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe do të reduktojë korrupsionin.
“Të mos harxhojë asnjë minutë asnjë lek për të marr një shërbim që i takon por nga telefoni nga kompjuteri, mjafton të gjejë një fëmijë nga 6-10 vjeç komshi, ia bën fëmija. Do të heqim kërkesën për qytetarët që të sjellin dokumente shtetërore. Do të thotë që, nëse bën një kërkesë e të duhen 20 dokumente, nga këto 3 janë privat. Dokumente që janë shtetërore, do t’i kërkojnë e do t’i gjejnë për qytetarin ata që rrinë te sporteli e janë mësuar t’i thonë qytetarit .. po këtë, shko. Brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do mbyllim sportelet në masë të madhe, për aplikimet. Ka shumë shërbime që mund të merren në telefon të plota. Merr fund historia e llumit e zullumit me lloj-lloj njerëzish, dhe korrupsioni në këtë nivel të zhduket, se nuk e korrupton dot kompjuterin ndërsa platforma hyn në një fazë të re, ku do të bëjë monitorimin e këtyre aplikimeve”, tha Rama.



