
Tre vjet më parë, kur u përurua, shumë thanë se do të ishte e pamundur ta vidhnin. Megjithatë, vepra e njohur si “tualeti i artë”, është vjedhur në pallatin Blenheim, vendlindja e ish-kryeministrit britanik Uinston Çërçill. Vepra që mban firmën e italianit Mauricio Katelan u ekspozua për herë të parë në muzeun “Solomon Gugenheim”, një Nju Jork, në vitin 2016. E bërë e gjitha prej ari, ajo ka trajtën dhe funksionet e një tualeti me vlerë mbi 1 milion dollarë. Hajdutët kanë arritur ta shkëpusin atë nga dyshemeja, duke shkaktuar jo pak dëme për shkak të tubacioneve në funksion. Policia ka arrestuar një burrë 66-vjeçar në lidhje me vjedhjen, megjithatë gjurmë të veprës nuk janë gjetur.
Tualeti më i çmuar në botë ishte vendosur në një dhomë prej druri përballë dhomës ku lindi ish-kryeministri i Britanisë së Madhe dhe vizitorët mund ta përdornin atë si një tualet të zakonshëm.
E pagëzuar me emrin "Amerika", tualeti prej ari 18 karatësh, është krijuar për të treguar pabarazitë shoqërore, politike dhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara.Vepra gjithashtu nxjerr në pah ngjashmëritë e pashmangshme njerëzore pavarësisht dallimeve sociale dhe ekonomike.
Ajo zakonisht ekspozohet në Gugenhaim Muzeum në Nju Jork, dhe është në dispozicion të çdo vizitori për një kohë të kufizuar prej 3 minutash, gjatë së cilës përdoret si një tualet normal. Që prej kohës kur u ekspozua për herë të parë, kjo vepër ka kryer funksionin e një tualeti të zakonshëm për 600 000 mijë njerëz në SHBA.
Edhe pse është e vështirë që të shitet në treg, qoftë edhe atë të zi, tualeti me peshë prej 103 kg ar tashmë rezulton i zhdukur.



