
Planeti rrezikon një "aparteid klimatik", për të cilin të pasurit i kanë mjetet për t'i shpëtuar urisë "ndërsa pjesa tjetër e botës është lënë të vuajë". Ky është alarmi i Philip Alston, raportues special i OKB-së për varfërinë ekstreme. Eksperti paraqiti dje një raport në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku i kritikoi masat e marra nga organet e OKB-së si "dukshëm të papërshtatshme", të cilat nuk do ta shpëtojnë Tokën nga "katastrofa e afërt".
"Ndryshimi i klimës kërcënon të anulojë 50 vitet e fundit të progresit në zhvillim, shëndetësi botërore dhe reduktimin e varfërisë. Sot shumë vende po bëjnë hapa miopë në drejtimin e gabuar ", ngre alarmin raportuesi special i OKB-së për varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut, Alston. Ai paralajmëroi se ndryshimi i klimës "mund të çojë mbi 120 milionë njerëz në varfëri deri në vitin 2030".



