Një ditë më parë nisi vaksinimi kundër Covid-19. Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë nuk dhanë detaje në lidhje me vendin nga ka ardhur vaksina, duke u mjaftuar me shprehejn “është një vend i BE-së që e ka kërkuar vetë të mos i përmendet emri”.
Po ashtu e paqartë ka qenë edhe procedura sesi është transportuar vaksina, duke ditur kushtet specifike që kërkon Pfizer-BionTech.

MCN TV disponon dokumentin që provon se vaksina ka ardhur dorazi në rrugë ajrore dhe është dorëzuar në Aeroportin e Rinasit.
Sipas fletës shoqëruese, vaksina ka ardhur nga Gjermania dhe është tërhequr nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ndërkohë, autorizimin për importin e vaksinës e ka lëshuar Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Sipas dokumentit që disponon MCN TV, vaksina është prodhuar në filialin që Pfizer ka në Gjermani, ndërsa holluesit dhe shiringa që e shoqërojnë janë prodhuar në Itali.
Siç tregojnë dokumentet, procedura që i ka paraprirë mbërritjes së vaksinës është bërë shumë shpejt. Më 11 janar, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka lëshuar autorizimin për importin e vaksinës në zbatim të aktit normativ të datës 10 janar 2021.




