
Reforma në Drejtësi po ndiqet hap pas hapi nga amerikanët. Ka qenë pikërisht ambasada Amerikane në Shqipëri, që përmes një postimi në Facebook ka ritheksuar mbështetjen që i ka dhënë dhe do i japë vendit tonë, për të arritur një sistem drejtësie të pavarur.
“Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo perfekte, por është duke ecur përpara – hap pas hapi – dhe duhet të vazhdojë. Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë dëshirën e popullit shqiptar për një sistem drejtësie transparent, të drejtë dhe tërësisht funksional”, shkruan ambasada.
Situata e Kushtueteses gjithashtu u përmend nga amerikanët, duke rikujtuar se funksionimi i kësaj gjykate është një hap larg.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë midis Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Presidencës dhe Parlamentit, me këtë emërim në pritje, Shqipëria është vetëm një gjykatës larg nga një Gjykatë Kushtetuese funksionale (funksionaliteti kërkon një kuorum prej 6 gjykatësish nga 9). Veprimet e tyre u përgjigjen opinionit të Komisionit të Venecias, kërkesave për pranimin në Bashkimin Europian dhe – më e rëndësishmja – kërkesës së popullit shqiptar. Le të ecim përpara – hap pas hapi”, përfundon ambasada.



