
Tirana do të jetë thuajse në shtetrrethim të martën, ditë kur në kryeqytet do të mbahet samiti i liderëve evropianë. Policët bashkiakë nisën që sot boshatisjen e rrugëve paralele që lidhin bulevardin dëshmorët e Kombit me rrugën e Elbasanit.
Lidhur me këtë në një lidhje live me studion e lajmeve në MCN TV komandanti i trafikut në Tiranë, Gerhard Baka bëri me dije se nga ora 8 e mëngjesit bllokohen akset dhe pritet që të rihapen vetëm pas orës 18:00.
Dua të theksoj se policia e shtetit ka marrë të gjitha masat që krahas aktivitetit që do zhvillohet sigurisht të marrim masat dhe për jetën normale të përditshmërisë. Sigurisht do jenë disa zona që janë 18 akse të cilat nuk aksesohet lëvizja me mjete, por do kemi lehtësira në disa shkolla ku do lejohet ti sjellin dhe marrin sërish fëmijët në orare të caktuara. Pra duke nisur nga ora 7 e mëngjesit do filloj bllokimi i akseve rrugore kryesore si rruga e Rinasit, apo rruga interurbane kryesore dhe anasjelltas Tiranë Qafë e Kasharit dhe unaza e madhe që akseson me rrugën e Elbasanit. Në orën 8 nis bllokimi i të gjitha akseve siç është perimetri i zonës së kuqe, ku nuk do të lejohet më lëvizja në brendësi të këtij perimetri. Unaza nga ura e Dajtit që lidh me sheshin nën Tereza dhe rrugën Ibrahim Rugova deri tek Frederik Shopen, pjesa e rrugës së Elbasanit me të gjitha rrugicat e saj lidhëse me bulevardin do jenë të ndaluara pas orës 8 dhe shpresojmë që në orën 18:00 ti rikthehemi jetës normale.
Sa për transportin urban Baka sqaroi se ato janë njoftuar se do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në një orar të caktuar, dmth deri në 8 të mëngjesit dhe më pas do lejohet të lëvizin deri në zonat e lejuara. Ndërsa lidhur me mjetet e emergjencës nuk do të ketë ndalime për të shkuar në destinacionet e tyre.
I pyetur nëse mjetet me logo siç janë televizionit do të lejohen të lëvizin përgjatë ditës së nesërme, Baka tha se ata do jenë në funksion të trafikut dhe se dhe mediat do të kenë akses atje ku është e aksesueshme rruga.
Do shohim tendencën e trafikut. Shpresojmë se nëse do ketë ndonjë ndalim të momentin për makinat e televizioneve kërkojmë ndjesë dhe mirëkuptimin e tyre, por do jetë për momentin.



