Nano: Midis konservatorizmit dhe progresivizmit

Nano: Midis konservatorizmit dhe progresivizmit

Politikisht, europianët e perëndimit janë të ndryshëm nga amerikanët. Në fakt, ky dallim është i hershëm, por kohët e fundit është bërë më i theksuar e më i dukshëm. Një konservator amerikan në Europë jo vetëm që do të binte në sy, por do të binte në sy për keq, si i prapambetur, e ndoshta edhe si reaksionar, për shkak të ideve të tij. Por edhe për republikanët trumpistë, një progresist skandinav do të dukej si marksist, si komunist, si socialist 24-karatësh, ndoshta si stalinist. Ky dallim është më i dukshëm e i qartë kur diskutimi çohet në planin e vlerave. Pra, kur diskutojmë qasjet tona ndaj gruas, martesës, familjes, seksit, gjinisë, fesë, ligjit, racës, lirisë së shprehjes, traditës etj., etj.

Republikanët trumpistë ndiejnë si të afërt në Europë sojin e Marine Le Pen-it, Matteo Salvin-it, Nigel Farage-it, të cilët ne këtu i shohim si të djathtë ekstremistë, ndërsa krahasuar me konservatorët amerikanë ata janë më pak konservatorë. Dhe republikanët trumpistë, konservatorët e shumtë, ata klasikët, ata të zakonshmit në Europë, që përbëjnë shumicën, i shohin si njerëz që janë dorëzuar, që kanë kapitulluar përpara së majtës. Dhe në fakt, me kutin e tyre, ata kanë të drejtë. Boris Johnson, kryeministri i Britanisë së Madhe, që është konservator, në fjalën që mbajti në Samitin e G7-ës foli për një botë post-COVID-iane. Ai tha se ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që të ndërtojmë një botë post-COVID-iane që të jetë më ekologjike, më feministë, më mirëkuptuese për transgender-at. Kjo është një gjuhë që në Amerikë përdoret nga demokratët. Madje, më së shumti përdoret nga të majtët ekstrem të Partisë Demokratike. Donald Trump-it, teksa e ka dëgjuar Boris Johnson-in, me siguri i ka ikur truri nga kjo gjuhë prej konservatori “fake”, do të thoshte ai. Por, edhe konservatorë të tjerë të Europës janë po njësoj. Le të marrim për shembull kancelaren gjermane Angela Merkel. Ajo është duke u larguar nga politika tanimë, por ajo do të mbetet në histori, midis një sërë gjërash, më së shumti për faktin se në një moment të caktuar, ajo ishte personi që u hapi dyert e Europës me qindra mijëra emigrantëve nga Arabia Saudite. Angela Merkel do të hyjë në histori edhe për faktin se ishte pikërisht ajo që legjitimoi martesën brenda gjinisë.

E meqë jemi te martesa brenda gjinisë, nuk di nëse e dini se kryeministri i Luksemburgut është gay, është i martuar me një burrë dhe ata kanë një familje të tyren së bashku. Kryeministri në fjalë është i djathtë. Kjo është një gjë që në Amerikë nuk para ndodh. Sepse në Amerikë, gay-t si rregull janë të majtë. Të tillë janë edhe transgender-at. Caitlyn Jenner që është edhe republikane, por edhe transgender, është një përjashtim nga rregulli, sepse rregulli është i qartë: Gay-t, trangender-at dhe në përgjithësi pjesëtarët e komunitetit LGBT janë të majtë.

Për republikanët amerikanë, një personazh europian si Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë, do të ishte heroi i tyre. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Ndërsa për europianët vet, për shumicën dërmuese të europianëve, Viktor Orbán-i është macja e zezë e Europës. Kjo është mënyra se si e shohin atë europianët. Dhe ai nuk lë asgjë pa bërë në mënyrë që ta konfirmojë këtë antipati që europianët kanë për të. Dhe me europianë, më shumë sesa vet shoqëritë europiane, kam parasysh establishmentin politiko-kulturor të Europës. Pra, Viktor Orbán herë pas here bën gjëra që konfirmojnë apo legjitimojnë, justifikojnë marrëdhënien e vështirë që europianët kanë me të. Këto ditë, partia e tij, shumica parlamentare në Parlamentin hungarez, ka miratuar një ligj titulli i së cilit është “Kundër pedofilisë”, por ai ka disa pasazhe në ligj që ua dedikon homoseksualëve. Dhe mes të tjerash, nëpërmjet këtij ligji, ai nuk lejon që nxënësve hungarezë deri në moshën 18 vjeç t’u jepen mësime mbi orientimin seksual, mbi homoseksualët dhe homoseksualizmin, apo mbi transgender-at. Politikanët europianë, shtetarët e Europës janë skandalizuar nga kjo sjellje e tij dhe kanë reaguar me tone të forta. Tonet më të forta i ka përdorur kryeministri holandez, Mark Rutte, i cili ka kërkuar që për këtë shkak Hungaria të largohet nga Bashkimi Europian. Dhe Mark Rutte është gjithashtu konservator.

Mesa duket, vitet e ardhshme, e ndoshta edhe dekadat e ardhshme, Perëndimi do të karakterizohet nga një luftë civile midis progresistëve dhe konservatorëve. Apo thënë ndryshe, midis modernistëve dhe tradicionalistëve. Apo thënë akoma më ndryshe, midis atyre që kanë për kauzë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, e për rrjedhojë edhe mbrojtjen e promovimin e identiteteve e orientimeve të pafundme gjinore, seksuale, politike, etnike etj., etj., dhe midis pjesës tjetër që nuk njeh si vlerë asgjë që nuk është e testuar nga koha, nga dekadat e shekujt që rrjedhin, ndoshta edhe nga mijëvjeçarët që rrjedhin. Sipas meje, kjo do të jetë beteja e ardhshme politike në Perëndim.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy