
Në Kosovë nuk ka teknologji të përpunimit të lëkurës. Kjo e fundit, e regjur, eksportohet në 100% të sasisë së prodhuar, ndërsa për nevojat e tregut për lëkurë të importuar plotësohen përmes importit. Në një bisedë në studion e MCN Economy, Burim Piraj, tregtar nga Kosova, tha se nga çmimi i lëkurës së regjur me lëkurën e gatshme ka një ndryshim rreth 200% e ndoshta më shumë.
Industria e këpucëve ka funksionuar gjithmonë me lëkurën si lëndë të parë. Është futur edhe në industrinë automobilistike. Bangladeshi eksporton në të gjithë botën.
Kosova eksporton 100% të lëkurës së regjur, nuk ka reparte përpunimi. Edhe fabrikat e këpucëve, lëkurën e importojnë nga jashtë.
Ne kemi thertoren dhe përpunimin e mishit. Lëkurë i kam eksportuar në Itali dhe i kam marrë kryesisht nga gjedhi i zonave malore. Lëkura e gjedhit është më e trashë dhe kushton më shumë.
Biznesi i lëkurës është punë e sigurtë. Me të jam marrë që para luftës. Unë jam larguar aktualisht dhe merrem me biznesin e mishit.
Nga çmimi i lëkurës së regjur me lëkurën e gatshme ka një ndryshim rreth 200% e ndoshta më shumë. Krijon vende të sigurta pune. Nuk është e mundur që ai artikull të mos ketë treg. Por duhet të kesh dijen dhe pas kësaj është shumë e lehtë të shkosh më tutje.
Ka qenë një artikull jo fort i preferuar për shkak të natyrës së punës. Ne kemi probleme me njerëzit që nuk duan të merren me bagëtitë. Njerëzit duan punë të lehta. Është sektor më delikat se sektorët e tjerë. Fillimi është i vështirë, vazhdimi po ashtu, por frytet janë të mira.
Përpunimi i lëkurës nuk mund të funksionojë si ekonomi familjare. Në Prizren ka shumë zanatçi të prodhimit të këpucëve, por punojnë në bashkëpunim.



