Kreu i shoqatës së operatorëve turistikë Sarandë, Arben Çipa, ngre shqetësimin se rritja e pakontrolluar e çmimeve ka çuar në rënien e xhiros ekonomike.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se nuk kemi rënie të pushuesve, por kemi rënie të gjenerimit ekonomik.
Çipa shtoi se rritja e çmimeve është e pakontrolluar me synimin e fitimit të shpejtë.
Është bërë bilanci i lëvizjeve që nga qershori dhe prurjet janë serioze, mund të ketë një rënie 5% por bilanci nuk bëhet tani. Megjithatë xhiroja ekonomike ka rënie. Kjo çon në faktin që gjeneratori ekonomik nuk është si vitin e kaluar.
Vitet që kapi kulmin e lëvizjeve ishin ato të vitit 2023, 2024 ishte vit serioz në të gjitha drejtimit. Por sivjet shohim një rënie. Jemi në një moment kur duhet të mendohemi pak seriozisht. Trendi është i ngjashëm dhe në Malin e Zi dhe në Greqi.
Lëvizjet janë të të njëjtit karakter. Ne e kemi tepruar ndoshta me çmimet që në një moment të caktuar janë të pakontrolluara.
Duhet të ulemi në tavolina të rrumbullakëta dhe na rezulton që çmimet janë të ngacmuara dhe çdo vit ka një rritje që nuk justifikohet nga inflacioni apo argumente të tjera. Ne jemi megaloman dhe kemi atë synimin e fitimit të shpejtë.
Ne menduam se ishim qendra e botës me turizmin në dy vitet “e arta”, por harruam se mund të vinte dhe disheza.
Nuk jam absolutisht pesimist, por nuk mund t’i shpreh ndryshe për arsye se ky është realiteti.
Sa i takon Sarandës, Çipa shtoi se i ka të dedikuara zonat që i përkasin “elitës”.
Sipas tij, Saranda dhe Ksamili janë reklamuar në pesë vitet e fundit gjerësisht dhe nëse i delegohet një kategorie të caktuar pushuesish, “është thikë me dy presa”, nëse lidhet me tipologjinë e familjarit, të rinjve apo elitës.
Saranda ka shtresë të mesme, familjare, por edhe të rinj në zona të caktuara. Do pak durim dhe studim zona, se cilat zona duhen deleguar për kategoritë përkatëse.
Do durim nga vetë subjektet të cilat duhet të krijojnë identitet me subjektet e tyre se cilës kategori i shërben më mirë.
Megjithatë Saranda ka nevojë më të mirë në menaxhim, sepse nuk mund të konsiderojmë se jemi në nivelin më të mirë të shërbimit.



