Ambientalisti Simo Ribaj u shpreh kundër TEC-eve lundruese që do të vendosen në Vlorë, duke u shprehur se kemi një terr informativ dhe mungesë transparence nga qeveria. Ribaj thotë se TEC-et që do vendosen në Vlorë i përkasin një shekulli të kaluar pasi punojnë me lëndë fosile, ndotin ajrin dhe ujin e detit që e kthejnë në të vdekur. Ribaj tha se qytetarët vlonjatë do të jenë të gjithë në revoltë kundër TEC-eve lundruese.
Ne prej vitesh kemi qenë kundër, nuk prisnim që të na vinin TEC-e të tjera nga deti, lundruese. Gjithë palët e interesit, komuniteti vlonjat, janë totalisht të painformuar. Nuk flitet të na ketë dëgjuar njeri si e mendojmë të mirën tonë. Faktet janë kokëforta. Jemi në një epokë kur bota flet për ngrohjen globale dhe si të gjenden mënyra si të reduktohet! Termocentralet me fosile, janë të shekullit të kaluar, kjo është totalisht e papranueshme. Ne jemi këtu dhe s’kemi asnjë informacion zyrtar, kryeministri thotë me gaz, ministrja me naftë, të tjerë me mazut. Se çfarë do djegin, sa të vjetër janë, çfarë produktiviteti, rentabiliteti kanë, të gjitha janë të panjohura! Ne jemi një popull që as pyetemi as dëgjohemi. Kjo është e rëndë për ne si Vlonjatët. Vlonjatët thonë çfarë kanë me Vlorën?! Edhe në Durrës ta çojnë keq është, por vlonjatët kanë një argument më tepër, përse këtu.
TEC-et në radhë të parë shkaktojnë ndotje të ajrit sepse punojnë me lëndë fosile. Do ndotet uji, nga karboni që tretet, dhe një ndotje tjetër do jetë nga temperature e lartë e turbinave që do djegin hidrokarburet. Uji i detit do kthehet në ujë të vdekur. Aty ka shumë mikrogjallesash që jetojnë në ekuilibër dhe që ruajnë ekosistemin. Gjiri i Vlorës do të kthehet në një gji të ndotur. Ne sot flasim për energjinë e pastër të diellit. Ne kemi hidrocentrale plot. Të mirë të këqij, ne i kemi. Ne mund të fitojmë para duke shitur, jo më ne kemi ngelur në krizë që të djegim hidrokarburet. Pse ka një mungesë transparence kaq të madhe? Cila është arsyeja? Është një terr i madh informativ. Vlonjatët i ke të gjithë në revoltë dhe të gjithë kundër. Se si do të organizohen në terren nuk flas dot, por nuk ka një vlonjat që të jetë dakord me këto gjëra. Po të kenë nevojë vendimmarrësit mund të bëjnë edhe një anketim. Operatorët turistikë do t’i kesh në protestë, janë të parët që cenohen drejtpërdrejt”.



