Stina e verës shton konsumin e pijeve freskuese dhe energjike. Në mënyrë të veçantë, konsumi i këtyre të fundit është shtuar, pavarësisht se disa vende europiane si Danimarka nuk e autorizojnë shitjen e tyre.
Mjekët këshillojnë që ato të përdoren me masë. Pijet energjike përbëhen kryesisht nga kafeina, një substancë psikoaktive që stimulon sistemin nervor, duke shtuar frekuencën kardiake dhe duke përmirësuar rezistencën gjatë aktiviteteve fizike.
Por, në doza të larta, këto pije mund të japin efekte anësore si nervozizmi, pagjumësia, aritmia dhe probleme të stomakut. Doza ditore e pranueshme për një të rritur në gjendje të mirë shëndetësore është 400 mg, por për adoleshentët, ajo nuk duhet t’i kalojë 100 mg.
Një filxhan kafe përmban 80 mg kafeinë, një gotë “Coca Cola” 35 mg, ndërsa një pije energjike standarde përmban 120 mg.
Këto pije përmbajnë edhe taurinë (një substancë që rrit efektet e kafeinës dhe redukton ndjesinë e lodhjes), guarana (një bimë me origjinë në pyjet e Amazonës, e cila në sasi të mëdha ka të njëjtat efekte të kafeinës), glukozë, vitamina dhe minerale si natriumi dhe kaliumi.
Ekspertët e ushqimit thonë se pikërisht për shkak të kësaj përbërjeje, konsumi i pijeve energjike duhet reduktuar. Nëse konsumohen në sasi të mëdha, këto pije sjellin efekte të padëshiruara si hipertension, probleme gastrointestinale ose obezitet. Për më tepër, një studim i kryer së fundmi në SHBA ka arritur në përfundimin se pijet energjike ndikojnë direkt te aktiviteti i zemrës dhe presioni i gjakut.
Konsumatorët më të mëdhenj janë të rinj të moshës 15-35 vjeç, 55% të të cilëve janë adoleshentë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



