Politologu Ilir Kalemaj komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV protestat në Serbi dhe Greqi. Sipas tij te populli serb ka arritur pika e ngopjes nga fasada nacionaliste, dhe ndryshimi i pushtetit do ishte lajm i mirë, pasi Beogradi është i vetmi vend që s’e ka në axhendë anëtarësimin në NATO. Kalemaj tha se protestat në Serbi dhe Greqi janë leksion demokracie për Shqipërinë, të cilës i mungojnë katalizatorët shoqëror dhe format e vetorganizimit në protesta.
“Në të dyja rastet protestat po ndodhin për shkak të humbjes së jetëve njerëzore. Janë protesta të vetorganizuara nga njerëzit, shoqëria civile, dhe që janë të pandërprera pavarësisht intimidimit, që në rastin e Serbisë janë të jashtëzakonshme.
Është një leksion demokracie për Shqipërinë, apo vende të tjera të ngjashme me Shqipërinë, që s’kanë këtë valë protestash. Kanë patur sindikata, lëvizje të ndryshme, feministe, të studentëve. Vendet e ish-Jugosllavisë kanë pasur forma vetorganizimi. Për shkak të stalinizmit shqiptar këtu s’kishte asnjë lëvizje underground.
Këtu ende njerëzit s’janë mësuar me idenë e lirisë, janë të vetëndrydhur, plus që ka ikur pjesa më vitale, shtresa e mesme, njerëzit e shkolluar, që mund t’i rezistonin pushtetit. Si do çohen njerëzit në protestë kur mungojnë katalizatorët shoqëror?! Në Shqipëri gjithçka ka ardhur nga lart-poshtë, nga partitë e opozitës. Ka vdekur nervi i revoltës në Shqipëri.
Ka arritur pika e ngopjes edhe te populli serb. Një pjesë mirë është e ngopur me fasadën nacionaliste, serbo-madhe. Synohet destabilizimi i Bosnjës përmes Dodikut. Ndryshimi i pushtetit në Serbi do ishte lajm i mirë, pasi është i vetmi vend që s’e ka në axhendë anëtarësimin në NATO. Në raport me BE-në, 52 për qind janë kundër anëtarësimit”.
I pyetur se si do ndikojë dënimi i Dodikut, në raport me Serbinë dhe rajonin, Kalemaj tha:
“Absolutisht e dëmton pozitën e Beogradit në rajon. Dodiku shpesh është përdorur nga Moska si mjet shantazhi ndaj Vuçiçit, për ta detyruar të mos iki nga trajektorja. Është përfolur që pas Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, pika tjetër e dobët dhe vunerabël për Perëndimin ishte Republika Srpska. Dodiku po rrezikon destabilitet rajonal dhe është i zhytur në korrupsion. Ndryshe nga rasti Berisha që kishim të bënim me lobim politik, dhe që mund të kemi zhvillime pozitive për heqjen e non gratës, në rastin e Dodikut s’jam habitur që nuk hiqet non grata.
Ndryshimet që kanë ndodhur në SHBA, sot Kurti ka menduar a ia vlen barra qiranë të jetë kryeministër në këto kushte kur mund t’i ndodhë një ‘déjà vu’ si Zelensky-t me Trump-in, ndonëse s’ka një paralelizëm të drejtpërdrejtë mes dy rasteve”.



