I riu Lear Kurti i cili ndërroi jetë pas shoqërimit nga policia në komisariat ku u ndje keq, rezulton me precedentë penalë për vjedhje dhe drogë.
Gazetari i MCN, Andon Kello në një raportim nga Spitali i Traumës, bëri me dije se i ndjeri vuante nga epilepsia.
Ai tha se 32-vjeçari rezulton person me precedentë për vjedhje dhe drogë dhe se në momentin që policia i bëri thirrje për kontroll ka qenë me një mikun e tij, i cili është marrë në pyetje në komisariat.
Kurti është ndjekur nga policia dhe e kanë neutralizuar, pas prangosjes ka shfaqur probleme shëndetësore, si dridhje apo sekrecione.
U dërgua në spital dhe më pas te Trauma ku sipas policisë ndërroi jetë. Sipas mjekëve te Spitali i Traumës, trupi i Kurtit ka ardhur i pajetë në spital.
Dyshohet se ka pësuar arrest kardiak. Trupi i pajetë ndodhet aktualisht pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore ku do t’i bëhet ekspertiza por sipas policisë nuk ka pasur shenja dhune.
Gazetari bëri me dije se Kurti njihet si person që ka pasur lidhje me një grup kriminal, si dhe banonte te zona e ish-Parkut të Autobusëve dhe kjo nuk është hera e parë që është shoqëruar.
Raportohet se policia i ka kërkuar mjetet e identifikimit, por ai nuk ka pranuar duke vrapuar për dhjetëra metra, deri sa është neutralizuar nga uniformat blu.



