
Kandidati për deputet i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia ka folur për MCN TV lidhur me rezultatet paraprake ku duket se fituese deri tani paraqitet PS.
Në fjalën e tij ai u shpreh se kjo është një fitore që sipas tij pritej, pasi qytetarët kanë besuar te Partia Socialiste për të vazhduar punët e nisura teksa theksoi se ata kanë bërë maksimumin në dy mandatet.
“Të jem i sinqertë prisja një fitore, por jo kaq të madhe por duke besuar te punët e bëra mund ta prisnim gjithsesi. Ne e kemi thënë nuk kemi bërë fushatë por kemi pas një plan veprimi duke pasur shumë të qartë se çfarë do bënim, dhe vazhdimi i punëve duhet të vazhdojë menjëherë për t’ju rikthyer punës që kemi nisur. Qytetarët besuan se ne bëmë maksimumin në dy mandatet. Një mandat e gjysëm nuk do e konsideroja si pasojë e pandemisë dhe tërmetit dhe ata besuan se vetëm ne, Partia Socialiste, Edi Rama mund ta çonim përpara këtë. Jemi gati për të ndërtuar Shqipërinë aty ku e lamë. Jemi gati për bashkëpunim dhe opozita të bëjë opozitën në vendin e saj në kuvend”, u shpreh ai për MCN.
I pyetur për dorëheqjen e Tom Doshit, Qefalia tha se nuk ka asnjë koment për largimin e tij ndërsa theksoi se PS është përqendruar te fitorja e saj spektakolare.



