
I ashtuquajturi Bashkëpunëtori X, në audio-përgjimin e famshëm ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, është marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës.
Bashkëpunëtori X, që u vetëidentifikua dje Albert Veliu, 51 vjeç, nga Vlora, është marrë në pyetje nga prokurori Genci Qana dhe mësohet se ka konfirmuar në Prokurori atë që ka deklaruar në videon e publikuar ditën e djeshme.
Prokurori Genci Qana po heton kallëzimin e Agron Xhafajt ndaj deputeteve të PD për audio-përgjimin.
Po ashtu, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur për të marrë në pyetje tre zyrtarë të Partisë Demokratike në lidhje me audio-përgjimin. Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi do të dëshmojnë para organit të akuzës në lidhje me këtë çështje të hënën, në orën 10:00. Tre përfaqësuesit e PD nuk u paraqitën dje në prokurori për shkak të pjesëmarrjes në seancën parlamentare.
Në një video të publikuar dje nga selia blu, Veliu pranon se e ka biseda telefonike me Agron Xhafajn për organizimin e trafikimit të një sasie droge drejt Italisë është autentike. Por Veliu u shpreh se pavarësisht se biseda është reale, nuk është ai autori i përgjimit të saj.



