
Në mesazhin e tij të Pashkës 2026, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Joani, përcjell një thirrje të fortë për paqe shpirtërore dhe kthim te Zoti në një botë që, sipas tij, “është e trazuar” nga luftërat, frika dhe pasiguria.
Ai e vendos në qendër fjalën e Krishtit të Ngjallur: “Paqe në ju”, duke theksuar se kjo paqe nuk është thjesht urim, por “një realitet ontologjik” që buron nga Ngjallja dhe tejkalon çdo rrethanë njerëzore.
Në mesazh, ai nënvizon se paqja e Krishtit nuk lidhet me mungesën e problemeve, por me praninë e Zotit brenda tyre:
Paqja e Krishtit nuk është mungesa e problemeve; është prania e Perëndisë brenda problemeve.
Duke folur për botën e sotme, Kryepeshkopi paralajmëron për një “mpirje të indiferencës” dhe një shoqëri që, sipas tij, po përjeton zbrazëti shpirtërore pavarësisht përparimit material. Ai citon Ungjillin.
Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën, nëse humb shpirtin e tij?
Në pjesën historike dhe kishtare të mesazhit, ai kujton përvojën e Kishës Ortodokse në Shqipëri gjatë persekutimit, duke e cilësuar ringritjen e saj si dëshmi të “fuqisë së Krishtit të Ngjallur”.
Në përmbyllje, Kryepeshkopi Joan bën thirrje për një përhapje personale të paqes.
Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja.
Mesazhi përfundon me theksin se Ngjallja e Krishtit është themeli i paqes dhe jetës së krishterë, duke e paraqitur atë si thirrje të drejtpërdrejtë për çdo besimtar.



