
Pas fjalës së mbajtur nga kryeministri në mocionin me debat, reagoi kreu i PD Berisha, i cili u shpreh se Edi Rama foli si kufomë e pakallur dhe iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda.
Berisha tha se ka besim te “Washington Post”, duke u shprehur se kjo gazetë ndër më autoritarët, ka informacion për llumin e McGonigal dhe Edvin McGonigalit.
Shqiptarët e panë se këtu, pak kohë më parë, personi që i lëshoi karrigen McGonigalit, foli si kufomë e pakallur. Foli kështu dhe iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda. sepse, siç thotë e respektuara ‘Washington Post’, që ai në një dalje televizive e quajti gazetën më serioze, McGonigal dhe Edi Rama ishin të zhytur gjer në grykë në veprimtari sekrete. Në veprimtari të paligjshme. Unë nuk kam fakte të zbërthej të gjithë veprimtarinë e tyre, kam besim se kjo gazetë ndër më autoritarët, ka informacion për llumin e McGonigal dhe Edvin McGonigalit. Doli këtu se mendoi se duke lexuar, sipas tij, aktakuzën, do mund të mashtronte shqiptarët. Unë dua të informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të drejtësisë së SHBA. Njëri daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate, për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës. Për të hetuar çdo telefonatë, çdo SMS, çdo email, çdo lloj komunikimi që ai ka pasur me cilindo në botë. Por, ky urdhër u përfshinë të gjithëve ju: të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri tjetër. Pra, jeni të gjithë të hetuar. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe çdo person i lidhur me të, përfshirë dhe jo kufizuar, kryeministrin e Shqipërisë. Pra, secili prej jush jeni nën hetim, ndaj më mirë mendoni se nuk do shpëtoni. E pamundur që ju në të gjithë ato komunikime, të mos keni kryer vepra të përbashkëta me Edi Ramën”.
Berisha paralajmëroi mazhorancën që mos tentojë të pengojë Komisionin Hetimor, pasi do të destabilizojë vendin për një kufomë politike si Rama.
Komisioni Hetimor parlamentar është jetik dhe do krijohet. Zotërinj në qoftë se u ka ngelur ndërgjegjja më minimale, njerëzore, politike, kombëtare, mos tentoni të pengoni Komisionin Hetimor se do destabilizoni totalisht vendin për një kufomë politikë, që nuk ka të ardhme, që i kanë prerë biletën përfundimisht”.



