
Një gjykatë ushtarake në Mianmar ka dënuar gazetarin amerikan Danny Fenster me 11 vjet burg. Fenster u shpall fajtor për shkelje të ligjit të imigracionit, shoqërim të paligjshëm dhe inkurajim të mospajtimit kundër ushtrisë.
Ai u godit në fillim të kësaj jave me dy akuza shtesë për kryengritje dhe terrorizëm, të cilat parashikojnë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Gjyqi i tij për akuzat e reja do të fillojë më 16 nëntor.
Fenster, 37 vjeç, i cili ishte redaktori menaxhues i faqes në internet Frontier Myanmar, u arrestua në aeroportin ndërkombëtar të Yangon në maj. Ai është një nga dhjetëra gazetarët vendas që janë arrestuar që nga një grusht shteti ushtarak në shkurt.
Sipas Frontier, Fenster kishte punuar më parë për Myanmar Now, një faqe e pavarur lajmesh që ka qenë kritike ndaj ushtrisë që nga grushti i shtetit.
"Akuzat bazoheshin të gjitha në pretendimin se ai punonte për median e ndaluar "Myanmar Now". Danny kishte dhënë dorëheqjen nga Myanmar Now në korrik 2020 dhe iu bashkua Frontier muajin tjetër, kështu që në kohën e arrestimit të tij në maj 2021 ai kishte punuar me Frontier për më shumë se nëntë muaj. Nuk ka absolutisht asnjë bazë për të dënuar Danny për këto akuza”, tha faqja e lajmeve.
Gjyqi i Danny Fenster u zhvillua me dyer të mbyllura, brenda burgut Insein, ku ai dhe shumë prej të arrestuarve që nga grushti i shtetit të shkurtit po mbahen.
SHBA i ka bërë presion qeverisë ushtarake për ta liruar atë, por një zëdhënës ushtarak këmbënguli se Fenster duhej të mbahej në paraburgim.



