
Një ditë pas dorëzimit të listës me 9 emrat e listuar si kandidatë në zgjedhjet vendore parlamentare, Njësia e Dekriminalizimit nis zyrtarisht verifikimin e thelluar për të shkuarën e dyshimtë të tyre.
Për Tom Doshin, prokurorët thanë se do t’i drejtohen Departamentit Amerikan të Shtetit dhe institucioneve të tjera për të vërtetuar faktet e pretenduara nga diplomatët e huaj, si person i shpallur non grata.
Procedurat janë urgjente, thanë drejtuesit e zyrës. Shkresat u janë dërguar njëkohësisht disa institucioneve: si drejtoritë e gjendjes civile, shërbimit informativ, gjykatave dhe prokurorive, si dhe Interpolit.
Prokurorët thanë se kanë 3 muaj kohë për të bërë verifikimet e thelluara, sipas ligjit. Në sitë do të kalojë çdo informacion apo indicie që vë në pikëpyetje të shkuarën e personave të cilët kërkojnë mandate politike. Bashkë me këto të dhëna, njësia e dekriminalizimit ka siguruar edhe shenjat e gishtërinjve për të verifikuar çdo gjurmë të tyre në databazën e policive ndërkombëtare.



