
Pas debateve që u shkaktuan në Komisionin e Ligjeve, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2018 të Departamentit të Administratës Publike, sa i takon profesionalizmit, korrupsionit dhe sistemit të pagave, Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një sërë kërkesash për administratën. Duke qenë se DAP-i, është përgjegjës për mbiqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore, Kuvendi kërkon që të intensifikojë më tepër monitorimin për sjelljen e nënpunësve civilë gjatë fushatës elektorale dhe të marrë masa ndëshkuese për ata që shkelin ligjin. Kërkesë, e cila u bë e ditur edhe nga zëvendëskryeministri Erjon Braçe, i cili paralajmëroi pushime nga puna për ata që kanë shkelur ligjin gjatë fushatës.
Po ashtu, në zbatim të kërkesës së deputetit socialist Bashkim Fino, i cili si relator i raportit kërkoi rishikim të sistemit të pagave, në projektrezolutën e parlamentit kërkohet që DAP të zhvillojë një politikë gjithëpërfshirëse për një skemë pagash të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita, të zbatueshme nga të gjitha instiucionet. Dhe nëse vlerësohet e arsyeshme të propozohen ndryshime të kuadrit ligjor dhe nënligjor.
Duke qenë se shumë vende pune nuk ishin plotësuar për shkak të mosplotësimit të kritereve profesionale në administratë, ndër të tjera DAP-i duhet të krijojë mekanizma ndërgjegjësimi dhe informimi me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së kandidatëve me nivel të lartë kualifikimi në proceset e rekrutimit, duke publikuar shpalljet jo vetëm në portalin “online” të aplikimit, por të zgjerojë kanalet e informimit të publikut.



