Kryetari I Bashkisë së Tiranës ka reaguar mbi protestën e zhvilluar ditën e djeshme për vdekjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha.
Gjatë një vizite në Baldushk, ku Veliaj ka prezantuar shtëpitë rindërtuara pas tërmetit të dy familjeve, ka folur edhe për protestën e zhvilluar ditën e djeshme, duke thënë se dëmet e shkaktuara do të rregullohen, por ai që bëri gabimin duhet të paguaj.
“Unë jam babai i një djali të vogël dhe e marr me mend si i është thyer zemra babait të Klodit sepse nuk besoj se ka gjë më të rëndë sesa të humbësh fëmijën. Një ditë do kesh vetë fëmijë (i drejtohet banorit të shtëpisë së re) dhe do e kuptosh çfarë dhimbjeje është kur të sëmuret, e jo më ta humbasësh. Ajo familje është zemërthyer dhe ka gjithë të drejtën e botës të jetë e mërzitur, këtë s’e luan topi. Që kanë merak për drejtësi, edhe kjo kuptohet. Imagjino sa gjëra kanë ndodhur në këtë shtet dhe nuk kanë parë drejtësi. Ndaj, ata kanë të gjithë të drejtën e zotit të mërziten, si edhe ata që prishin dhe dëmtojnë qytetin – rraqe janë, nuk është ndonjë hata, do i rikuperojmë prapë. Jeta do të vazhdojë! Duhet të bëjmë drejtësi, nuk duhet ta lëmë si 21 janari, ai që e bëri duhet të mbajë përgjegjësi. Drejtësia duhet ti shkojë deri në fund kësaj pune.”, u shpreh Veliaj.



