Gjergj Buxhuku, Administrator, Konfindustria në studion e lajmeve në MCN Economy ka komentuar lidhur me korrupsionin në Shqipëri, ku sipas një raporti të fundit vendi ynë ka lënë pas rajonin dhe është renditur në vendin e 27.
Ai tha se klasifikimi i Shqipërisë do të ishte edhe më keq nëse këto indekse do të ishin futur edhe më në thellësi, ndërsa theksoi se dallon dy lloj korrupsione.
Sipas tij kemi të bëjmë me korrupsion primitiv ku nuk respektohet ligji, dhe atë që e konsideroi si dhe më të rrezikshmin kur ligji bëhet me qëllim për interes privat në shkelje të interesit publik.
Pavarësisht se indekset janë bërë nga institucione dinjitoze nëse do ishte futur më në thellësi klasifikimi do ishte dhe më i keq, por unë e di pak a shumë metodikën që ata përdorin për të nxjerr këtë. Nëqoftëse do futeshim më në detaje me atë çka ndodh në Shqipëri jam i bindur se Shqipëria do të ishte shumë më keq. E them këtë sepse dalloj dy lloj korrupsione, ai primitiv që do të thotë ligji është ai që është dhe nuk zbatohet, pra nuk respektohet ligji dhe kjo është e shpërndarë pothuajse në të gjithë shoqërinë. Ndërsa korrupsioni më i rrezikshëm është ai i kapjes së shtetit, kur ligji bëhet me qëllim për interes privat, personave, kompanive, politikanëve. Pra duhet të jemi të qartë kur flasim për korrupsionin. Ky i dyti është jashtëzakonisht shumë i rrezikshëm ku prodhohen ligje, urdhëresa të cilat realisht shkelin interesin publik në favorizim të politikanëve dhe grupeve të lidhur me ta. Prandaj them se klasifikimi real i Shqipërisë është shumë më i rëndë dhe këtu është bërë korrupsioni primitiv.
Më tej ai shtoi se ‘kapja e shtetit’ konsiderohet si ‘kanceri i demokracisë dhe ekonomisë në vend dhe se ky lloj korrupsioni në Shqipëri e mbulon veten me akte ligjore.
Duhet të kemi parasysh se kanceri kryesor i demokracisë dhe ekonomisë shqiptare është korrupsioni i kapjes së shtetit. Një nga arsyet që është shtuar jashtëzakonisht shumë ky lloj korrupsioni është sepse kjo të jep mundësinë që ti të mbrohesh nga i ligji që ke bërë. Ata korrupsionin e kanë bërë me letër. Pra në një farë mënyrë presioni, trysnia që bëhet nga ndërkombëtarët që i ka çuar në reformimin e reformës në drejtësi e ka përshtatur dhe nga ana e korrupsionit ku ky i fundit e mbulon veten e vet me ligje. Të gjitha këto ngjarje që po shohim sot me shkatërrime resortesh, PPP, tendera pa garë, etj etj, e kanë përshtatur veten dhe e ndjejnë veten mjaft të mbrojtur nga ky lloj korrupsioni që nëse paraqiten në gjykatë, të thonë që po ne kemi vepruar në bazë të ligjit.



