IBM do të blejë për 34 miliardë dollarë kompaninë e softuerëve Red Hat, e njohur për sistemin operativ Red Hat Enterprise Linux.
Red Hat është një kompani që deri tani i ka dhënë falas kodet për produktet e saj kryesore. Kjo do të thotë se çdokush mund t’i shkarkojë ato falas. Dhe shumë e kanë bërë në fakt. P.sh., Oracle përdor kodet e Red Hat për produktin e vet Oracle Linux.
Të shpenzosh miliarda dollarë për të blerë një kompani programesh që jepen falas duket paksa e çuditshme. Por kompanitë i paguajën Red Hat-it për suportin e produkteve të saj, në një masë që i garanton asaj rreth 3 miliardë dollarë çdo vit.
IBM ka qenë prej kohësh përdorues dhe kontributor në Linux dhe projekte të tjera të ngjashme të burimit të hapur.
Këto të fundit, që dikur janë parë si lëvizje idealiste në aspektin e softuerëve, tani janë një pjesë thelbësore e mënyrës sesi kompanitë e mëdha bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, që nga gjigantët e internetit si Google dhe Facebook deri te Walmart dhe ExxonMobil. Ndarja e kodeve me konkurrentët u bën të mundur këtyre kompanive të punojnë së bashku për të zgjidhur problem që u dalin të dy palëve. Edhe vetë Microsoft, që dikur e ka kritikuar këtë mënyrë bashkëpunimi, tani ka ndryshuar mendim. Microsoft ka lançuar projekte të shumta të kësaj natyre dhe sapo ka përfunduar blerjen për 7.5 miliardë dollarë të hostimit të kodeve dhe bashkëpunimin me kompaninë GitHub.
Ndërkohë, IBM i ka shtuar përpjekjet vitet e fundit për t’u transformuar. Një sondazh i porositur nga kompania e menaxhimit cloud, RightScale, në fillim të këtij viti, e vuri IBM-në të katërtën në listën e shërbimeve cloud, pas Amazon, Microsoft dhe Google.
Red Hat ka pasur disa probleme vitet e fundit. Aksionet e saj kanë rënë me 14 për qind brenda ditës në qershor, pasi një parashikimi financiar që zhgënjeu investitorët. Që atëherë, aksionet e saj kanë rënë 17 për qind.
Ndërsa është i njohur për sistemin e tij operativ, Red Hat ofron një gamë gjithnjë e më të madhe të produkteve të tjera që e bëjnë të lehtë për kompanitë që të krijojnë platforma të ngjashme me cloud në qendrat e tyre të të dhënave ose të menaxhojnë aplikacione që funksionojnë në shërbime të ndryshme të teknologjisë cloud computing. Ato përfshijnë OpenShift, i cili bazohet në teknologjinë gjithnjë e më të njohur si "kontenierë Linux".
Red Hat mund të jetë një përshtatje e mirë për biznesin e gjigantit IBM.
IBM është shndërruar gjerësisht nga një gjigant hardware në një kompani shërbimesh dhe ka partneritet të gjatë me Red Hat. Çështja e madhe është nëse dy kompanitë do të përshtaten mirë funksionalisht. IBM thotë se Red Hat do të funksionojë si një njësi e pavarur brenda organizatës së saj Hybrid Cloud, ndërsa lidershipi i Red Hat do të mbetet i paprekur.



