Tre persona u arrestuan sot në Shkodër, pas videos së transmetuar në emisionin “Stop”, në të cilën shfaqeshin ambientet e një fabrike të prodhimit të pijeve të ndryshme në mënyrë të paligjshme.
S.C 70 vjeç, banues në Shkodër; F.B, 29 vjeç, banues në Shkodër dhe S.H, 59 vjeç, banues në fshatin Guri Zi u vunë në pranga ndërsa u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e XH.K, 53 vjeç, banues ne Shkodër, i proceduar dhe i dënuar më pare për të njëjtën vepër penale.
Katër personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si punonjës të një subjekti privat me administrator shtetasin XH.K, kanë prodhuar produkte ushqimore në menyrë të kundraligjshme dhe të dëmshme për shëndetin, ku gjatë kontrollit në kete subjekt në lagjen Ajasem, Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të mëdha pije alkolike.
Gjithashtu, në kuadër të këtij aksioni u ndaluan edhe pesë inspektorë të AKU-së së Shkodrës: H.E , 65 vjeç, banues ne fshatin Mushan , Njësia Administrative Dajç, Shkodër, me detyrë inspektor të Drejtorisë Rajonale në A.K.U. Shkodër; A.B, 52 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektor të Drejtorisë Rajonale në A.K.U. Shkodër; E.B, 32 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektor në Drejtorinë Rajonale në A.K.U. Shkodër; A.G, 50 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektor të Drejtorisë Rajonale në A.K.U. Shkodër; E.F, 65 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektorë të Drejtorisë Rajonale në A.K.U. Shkodër.
Sipas hetimeve të policisë, pesë inspektorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mbajtur procesverbale fiktive në subjektin privat me administrator shtetasin XH.K, duke e lejuar të prodhojë produkte ushqimore jashtë normave të higjenës e në mënyë të kundraligjshme.



