
Kryeprokurorja e krimeve të Rënda Donika Prela ka aplikuar këtë të mërkurë për t'u bërë pjesë SPAK-ut.
Ajo ka dorëzuar dokumentet një ditë para përfundimit të afatit për të aplikuar.
Gjithashtu këtë të mërkurë kanë dorëzuar dosjet, Altin Dumani, prokuror ne Prokurorinë e Apelit Tiranë; Enkeleda Osmani (Xhengo), prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës; Elida Kackini (Celami), prokurore pranë gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; dhe Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, si dhe Maksim Sota, prokuror ne Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë.
Deri më tani për të qenë pjesë e SPAK-ut kanë aplikuar 22 prokurorë për 15 vende.
Data e mbylljes së aplikimeve ishte fillimisht 6 shkurti, por ky afat u shty deri më 21 shkurt, pasi sipas KLP nuk kishte mjaftueshëm kandidatë.
Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, pak javë më parë ka kaluar vetingun, edhe pse nën akuza nga Partia Demokratike. Prela u akuzua nga opozita se ajo është takuar me një anëtar të KPK-së gjatë kohës që ishte në veting si dhe akuzohet se është subjekt i dosjes 339.



