
Një djalë i ri në Fier, është bllokuar nga policia duke lëvizur me një çantë kartoni të mbushur me afro 88 mijë euro.
Gjatë operacionit të koduar “Gjurmë”, u procedua penalisht G. R., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit, në automjetin tip “Benz” në pronësi të tij, u gjetën 87.950 euro, për të cilat 30-vjeçari nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shuma e parave është përfituar nga aktivitete të kundërligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove dhe automjeti me të cilin udhëtonte 30-vjeçari, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.



