
Janet Jackson rikthehet në skenën muzikore pas tre viteve mungesë. Këngëtarja sjell në bashkëpunim me Daddy Yankee, këngën “Made for now”. Kënga shoqërohet edhe me një klip, që paraqet çfarë ndodh në qoshe të ndryshme të metropolit amerikan. Janet Jackson ka ‘festuar’ daljen e këngës së saj të re në emisionin e Jimmy Fallon, ku ishte e ftuar. Kjo ishte dalja e parë e Jackson në një ekran televiziv pas 14 vjetësh. Me këtë rast, këngëtarja solli me vete shumë kërcimtare, që krijuan dekorin e një karnavaleje.
Në klipin e këngës së re të Jackon, “Made for now”, janë përfshirë kërcimtarë dhe artistë nga Ghana, Nigeria, Grenada, Trinidad dhe SHBA, që kërcejnë në Bruklin në një ditë me diell. Daddy Yankee këndon në këtë këngë edhe në spanjisht, edhe në anglisht. Ai njihet si aktor dhe producent dhe si i pari që përdori termin “Reggaeton”, në vitin 1994 për të përshkruar një lloj gjinie muzikore që e kishte origjinën nga Puerto Rico.
Karriera e tij muzikore njohu kulmin me daljen e këngës “Despacito” me Luis Fonsin. Në datën 27 korrik ai ishte dhe në Tiranë ku mbajti një koncert në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë, Janet Jackson duket se do të jetë aktive gjatë 2018-ës në skenën muzikore. Kështu, në 29 shtator, pritet, që ajo të këndojë në “Global Citizen Festival” në Central Park të New York.



