Maqedonia e Veriut është konfirmuar edhe njëherë sot si shteti më i prekur në Ballkan nga koronavirusi, pasi në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 26 persona, numri më i lartë i viktimave brenda 24 orëve që prej fillimit të pandemisë.
Ndërkohë autoritet shëndetësore bëjnë me dije se kanë rezultuar pozitiv 978 persona nga 2.667 teste të kryera gjithsej. Pra 37% e testeve këtë të dielë kanë rezultuar pozitiv.
Në 24 orët e fundit po ashtu kanë ndërruar jetë edhe 26 pacientë, numri më i lartë i viktimave që nga fillimi i pandemisë. Shtëpia e Shëndeti njofton se në 24 orët e fundit janë shëruar vetëm 23 persona.
Në mesin e të vdekurve është edhe një mjek nga Spitali i Tetovës. Përmes një video-incizimi, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat ndërsa gjendjen me pandeminë e ka vlerësuar si kritike.
“Situata me COVID-19 është kritike. Spitalet tashmë po mbushen me të sëmurë. Para nesh ndodhet periudha më e vështirë e trajtimit të pandemisë. Kërkoj nga ju që jeni maksimalisht të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës. Respektoni masat në mënyrë të përpiktë. Mbajtja e maskës dhe e distancës janë një sakrificë shumë e vogël krahasuar me gjithçka tjetër”, ka deklaruar Filipçe.



