
Rreth 500 hebrenj amerikanë, përfshirë rreth njëzet rabinë, u ndaluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa protestonin në Kapitol kundër luftës së Izraelit në Gaza dhe bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Një nga grupet që qëndron pas asaj që përshkruhet si “protesta më e madhe hebreje në solidaritet me palestinezët në historinë e SHBA”, tha që Policia e Kapitolit rrëzoi pankartat që shkruanin “armëpushimi tani” ndërsa protestuesit mbanin bluza të njëjta ku shkruhej “jo në emrin tonë: hebrenjtë thonë armëpushim tani”.
“Nuk ka pasur një kohë në jetën time kur ka qenë më urgjente se kaq që komuniteti ynë hebre të ngrihet, të flasë, të sjellë dhimbjen, frikën, pikëllimin dhe zemërimin tonë dhe të mblidhet me gjithçka që kemi”, tha drejtoresha ekzekutive e Jewish voice for peace Stefanie Fox.
Protestuesit kërkuan që administrata e Joe Biden dhe Kongresi të mbështesin një armëpushim në Gaza dhe të ndalojnë financimin e “gjenocidit” izraelit në territoret palestineze, sipas disa prej posterave të tyre.
“Ne i paralajmëruam demonstruesit që të ndalonin protestën dhe kur ata nuk iu bindën filluam t’i arrestonim. Në mesin e këtyre arrestimeve, tre persona u akuzuan për sulm ndaj një oficeri” , tha Policia e Kapitolit në platformën X.
Të arrestuarit u rreshtuan brenda kordonit të sigurisë të vendosur rreth ndërtesës dhe u ngarkuan në një autobus policie.
“Ne jemi bashkuar për të ndaluar anëtarët e Kongresit të financojnë ose mbështesin më shumë bomba në Gaza dhe për të bërë thirrje për një armëpushim dhe për të lejuar ndihmën humanitare në Gaza, në mënyrë që palestinezët të ndalojnë së vrari për krime lufte,” tha ai Asher Firestone, përfaqësues i hebrenjve, i Jewish voice for peace.
Presidenti amerikan Joe Biden mbështet gjenocidin duke e lejuar atë të ndodhë, shtoi ai.
Shumë nga protestuesit kishin veshur bluza që shkruanin “Hebrenjtë thonë armëpushim tani” dhe “Jo në emrin tim”.



