
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se temat kryesore në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s do të jenë bashkëpunimi NATO-Bashkimi Evropian, Koreja e Veriut, lufta kundër terrorizmit, marrëdhëniet NATO-Gjeorgji dhe politika e derës së hapur e Aleancës.
Stoltenberg foli për takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili do të mbahet në selinë e Aleancës në Bruksel, mes datave 5-6 dhjetor.
Numri një i Aleancës Atlantike, tha se në takim do të diskutohet edhe për Korenë e Veriut.
“Ashtu si në të kaluarën, edhe sot siguria jonë ka lidhje me zhvillimet në Azinë Lindore. Raketa balistike interkontinentale e lëshuar javën e kaluar nga Koreja e Veriut tregoi se të gjithë aleatët tanë mund të jenë në kuadër të gamës së raketës. E gjithë bota duhet të ushtrojë presion maksimal ndaj Koresë së Veriut”, tha ai.
Stoltenberg tha se që nga kohët e mëparshme NATO-ja i është nënshtruar kërcënimit të raketave balistike dhe se aleanca u është përgjigjur këtyre kërcënimeve.
Në vazhdim ai vuri në dukje se NATO ka kapacitet të kundërpërgjigjet kundër të gjitha sulmeve. “Forca jonë ushtarake po mundëson që përpjekjet tona diplomatike të realizohen me sukses”, tha Stoltenberg.



