Një futbollist izraelit u arrestua për shfaqjen e një mesazhi që i referohej luftës midis Izraelit dhe Gazës, gjatë një ndeshjeje në Turqi.
Pasi shënoi një gol për skuadrën e tij kundër Trabzonspor, Sagiv Jehezkel tregoi një mesazh ku shkruante “100 ditë. 07/10” në një fashë në kyçin e dorës së majtë.
Ministri i Drejtësisë i Turqisë njoftoi nisjen e një hetimi ndaj Jehezkel në lidhje me incidentin për “gjuhë urrejtjeje”, pasi klubi i tij, Antalyaspor, e shkarkoi për këtë çështje.
“Zyra e Prokurorit të Antalias ka hapur një hetim gjyqësor kundër futbollistit izraelit Sagiv Jehezkel për nxitje publike të urrejtjes për shkak të festimit të tij me urrejtje në favor të masakrës së kryer nga Izraeli në Gaza”, tha ministri turk i Drejtësisë Yilmaz Tunc, në një postim në internet.
“Nuk kam dashur të provokoj askënd dhe dua që kjo luftë të përfundojë”, është mbrojtur Jehezkel para magjistratit pas arrestimit gjatë natës së dielës.
Ministri i Drejtësisë e akuzoi futbollistin se nuk ka respektuar vlerat e Turqisë, një vend “që mbetet përkrah popullit palestinez” dhe se ka ofenduar kujtimin e mijëra civilëve, grave dhe fëmijëve të masakruar në gjenocidin që shteti hebre po bën.



