
Tre punonjës të Zonave të Mbrojtura do të hetohen në gjendje të lirë pasi policia gjeti një parcelë me kanabis në Divjakë. Punonjësit janë identofikuar si Edison Toromëni, Festim Hoxha dhe Gazmor Allka.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit: Edison Toromëni, 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, Festim Hoxha, 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe Gazmor Allka, 53 vjeç, me detyrë roje.
Vijon puna, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për identifikimim dhe kapjen e autorit/ëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon kontrollet intensive nga ajri, me dronë, dhe nga toka, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia e Shtetit inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në njësitë e Policisë ose në numrin pa pagesë 112.



