
Analisti Ergys Muzhaqi, në një analizë mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme thekson se deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump mund të jenë një përpjekje për të shuar spekulimet mbi një përçarje me aleatin e tij Benjamin Netanjahu.
Muzhaqi vëren se mosmarrëveshjet lidhur me qasjen ndaj vendeve arabe dhe rolin e Turqisë në Siri kanë nxitur zëra për tensione mes tyre, por sipas tij, Trump ka ruajtur një qëndrim të qartë dhe të fuqishëm pro Izraelit dhe kundër regjimit iranian.
“Kjo është pothuajse pika e tretë që, sipas mendimit tim, tregon se Trump i ka bërë këto lloj deklaratash në këtë formë.
Ndoshta për të eliminuar spekulimet se ka një mospërputhje qëndrimesh mes tij dhe linjës së tij politike.
Edhe nga disa prej figurave të njohura të kësaj linje, spekulimet kanë qenë të pranishme gjatë ditëve të fundit në disa rrethe të analistëve perëndimorë.
Sipas këtyre spekulimeve, thuhet se Benjamin Netanjahu nuk ka qenë dakord me mënyrën se si Trump u është qasur vendeve arabe dhe me forcimin që u ka dhënë atyre.
Sidomos përsa i përket situatës me Turqinë, ku ai i ka lënë dorë të lirë Ankarasë në çështjet që lidhen me Sirinë, gjë që ka krijuar debat.
Është përfolur se ka pasur një mosmarrëveshje serioze.
Dhe se Netanjahu ka vepruar në disa raste pa u konsultuar me Trump, duke ndjekur iniciativa personale.
Megjithatë, kjo mbetet e pakonfirmuar dhe nuk mund të konsiderohet si fakt i vërtetuar.
Unë besoj se Trump, pavarësisht presionit nga grupet lobuese dhe pranisë së mbështetësve të Izraelit në strukturat shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ruajtur një pozicion të fortë dhe të pavarur.
Ai ka bërë deklarata të qarta për të treguar se qëndrimi i tij është në mbështetje të plotë të Izraelit.
Ai është i vendosur në qëndrimin e tij kundër regjimit të Iranit dhe ka deklaruar se e ka goditur me sukses.
Madje ka theksuar se është i gatshëm të veprojë përsëri, nëse Irani nuk ulet për të negociuar, apo për të ndërmarrë ndryshime në regjimin e tij.
Mendoj se këto mund të jenë disa nga arsyet pse Trump ka folur me entuziazmin që e ka karakterizuar.”



