
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, nuk i ka kursyer kritikat ndaj politikës, por edhe ndaj mediave, gjatë konferencës me temë “Roli i ndërkombëtarëve në momente kyçe te tranzicionit post-komunist të Shqipërisë”. Borchardt tha se në shumë pjesë të Europës, besimi te “arbitrat kombëtarë” ka pësuar rënie dhe elektorati i dëgjon gjithnjë e më pak politikanët. Ndërsa media sipas tij është shndërruar në "Luegenpresse", sikurse quhet në Gjermani, shtypi i gënjeshtrës.
Borchardt solli shembullin e protestës së banorëve të Shkozës, tre muaj më parë para Ambasadës Amerikane, të cilët kërkuan ndihmë nga ndërkombëtarët pas vendimit të bashkisë për shembjen e shtëpive të tyre, për të ndërtuar një rrugë të re.
“Një demonstratë e tillë është e drejtë civile që ushtrohet nga qytetarët anembanë botës. Por, kjo demonstratë nuk u zhvillua përpara zyrës së Bashkisë apo Kryeministrisë; ajo u organizua përballë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Kjo është e pazakontë. Madje, hedh dritë mbi temën e konferencës së sotme "Roli i ndërkombëtarëve gjatë tranzicionit në Shqipëri", një rol që duket të jetë i veçantë këtu në Shqipëri, një rol i cili është hulumtuar pak prej akademikëve vendas dhe të huaj”, tha Borchardt.
Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë theksoi më tej se aktorët ndërkombëtarë nuk duhet të shërbejnë si arbitra të rivaliteteve të politikës shqiptare.” Ata duhet të dërgojnë mesazhe të qarta se demokracia e qëndrueshme bazohet te besimi në arbritrat shqiptarë dhe jo në arbitrazhin ndërkombëtar”, tha ai duke cituar një studim të vitit 2012, rekomandimet e të cilit, sipas tij, ende mbeten të vlefshme dhe të pabëra realitet.
Duke iu rikthyer të shkuarës, Borchard kujtoi vitin ’97 dhe rolin e ndërkombëtarëve në ditët e trazuara të politikës shqiptare. Por sipas tij, edhe pse është bërë progres, ka ende sfida të tjera.
“Vetëm 20 vjet më parë, Franz Vranitzky dhe Prezenca e OSBE-së erdhën këtu për të mbështetur rindërtimin e Shqipërisë. Sot, jemi shumë larg nivelit të atyre ditëve. Shqipëria ka ecur shumë përpara, por mbeten ende sfida të mëdha”, tha ai.



