Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se votimi i demarkacionit me Malin e Zi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është një sukses i jashtëzakonshëm dhe Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që i ka pasur për liberalizim të vizave.
“Tani më Kosova ka implementuar të gjitha kriteret që ishin caktuar nga Bashkimi Evropian, edhe lufta ndaj korrupsionit ka vazhduar dhe për këtë është dëshmuar. Tani më nuk ka dilemë, unë edhe gjatë takimeve që i kam pasur edhe me Komisionerin Hahn dhe Mogherinin më është konfirmuar se liberalizmi i vizave do të ndodh gjatë këtij viti”, tha presidenti Thaçi.
Gjatë një interviste për RTK, kreu i shtetit është shprehur se Kosova do të lëvizë përpara edhe me themelimin e Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe
Për arrestimin e Marko Gjuriç, presidenti Thaçi tha se nuk prishen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. “Ai e ka shkelur ligjin e Kosovës, ai ka marrë atë që e ka merituar. Edhe Serbia e ka kuptuar se Kosova është shtet”, tha ai.
Ndërsa për arrestimin dhe deportimin e gjashtë qytetarëve turq nga Kosova që ngjalli shuam reagime, Thaçi vlerësoi se Kosova dhe Turqia kanë raporte shumë të mira e korrekte. Sipas tij ish ministri Flamur Sefaj dhe ish shefi i AKI-së kanë bërë punë të mirë për vendin.



