
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur mbrëmjen e djeshme se janë arritur të izolohen disa nga vatrat e zjarrit në vend, por ende mbeten aktive disa të tjera.
MM ka informuar se aktualisht në të gjithë vendin janë gjashtë vatra aktive, dy janë shuar tërësisht, ndërsa një vatër është izoluar.
Zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv. Vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.
Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Dje ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.
Ndërkohë sipas njoftimit të MM, vijon zjarri edhe në Fushë Arrëz. Në ndihmë të punonjësve vendorë ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura.
Në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar. Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë. Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre.
Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Ka vijuar operacioni me te gjitha forcat operacionale.
Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë- Selishtë, bashkia Mallakastër. Dje kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku. Është shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë.



