Dy persona kanë mbetur të plagosur gjatë një prite nga persona të maskuar. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Tropojë- Lekbibaj, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Rajës”.
Sipas policisë, mbrëmë rreth orës 22:30, rrugës për në banesë, Fatjon Markaj dhe Ermal Rosaj, duke lëvizur me mjetin tip kamionçinë, janë ndalur nga persona të maskuar.
Persona të cilët u kishin bërë pritë, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, dhe më pas i kanë goditur me mjete të forta shtetasin Fatjon Markaj 29 vjeç dhe Ermal Rosaj, 27 vjeç, banues në Lekbibaj.
Dy të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Tropojës nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Personat ende të paidentifikuar gjatë largimit i kanë vëne flakën edhe automjetit kamionçinë në pronësi të Rosajt.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja arme zjarri.
Aktualisht vijon puna për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.



